Babë e bir nga fshati Bënçë i Tepelenës ranë në prangat e policisë, pasi në makinën me të cilën po lëviznin u gjetën 3 thasë me kanabis.
Ilir dhe Franci Dura u kapën me rreth 30 kilogramë hashash të cilat i kishin fshehur në sediljet e pasme dhe në bagazhin e automjetit.
Gjithashtu, policia arrestoi edhe 27 vjeçarin Mehemet Mino, që lëvizte me një makinë tip “BMV”: ky i fundit monitoronte rrugën ku kalonte automjeti me lëndën narkotike, me qëllim shmangien e patrullave të Policisë.
Në pranga ra edhe 27-vjeçari Reshat Bakia, pasi ai shoqëronte sasinë e drogës me një makinë tjetër ku mbante një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Ndaj 4 të arrestuarve rëndojnë akuzat e trafikut të drogës dhe armëmbajtje pa leje. Policia gjatë operacionit sekuestroi edhe një armë zjarri, 3 automjete, 4 celularë dhe një shumë parash.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore në kuadër të operacionit policor të koduar “Monitorimi”, në aksin rrugor “Bënçë-Tepelenë”, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit I. D., 54 vjeç dhe F. D., 19 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bënçë, pasi në automjetin me drejtues shtetasin I. D. dhe pasagjer shtetasin F. D., në urën e Bënçës, Tepelenë, u gjetën 3 thasë me rreth 30 kilogramë cannabis sativa.
Gjithashtu, u kap shtetasi M. M., 27 vjeç, që lëvizte me automjetin tip “BMW”, i cili monitoronte rrugën ku kalonte automjeti me lëndën narkotike, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë.
Në vijim të operacionit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale kanë kapur dhe arrestuar edhe shtetasin R. B., 27 vjeç, pasi qarkullonte pas automjetit me lëndë narkotike, me automjet tjetër ku mbante një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, me qëllim shitjen.
Veprimet procedurale janë kryer nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.





