Subscribe

Famija Hoxha ka hapur sot dyert e mortit në fshatin Stan Karbunarë për Roland dhe Elidon Hoxhën (babë e bir), të cilët humbën jetën ditën e djeshme nga shpërthimi në kapanonin në ndërtim në Lushnjë, ku të dy ishin duke punuar me vinç.

Fqinjët e të ndjerëve janë shprehur sot për mediat se babë e bir kanë qenë njerëz të shkëlqyer dhe punëtorë. Të tronditur nga ngjarja fqinjët thanë se Rolandi punonte një jetë të tërë me vinç. Ata thanë gjithashtu se Rolandi la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e tjerë.

Lexo edhe :

Related Posts

Burime për Vizion Plus bënë me dije më herët se babë e bir kishin filluar punë ditën e djeshme, ndërsa djali kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia.

Nga shpërthimi pati edhe disa persona të plagosur, mes tyre edhe deputeti socialist Bujar Çela, i cili u nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Tiranë, pasi kishte marrë dëmtime të shumta.

Në vendngjarje, përpos efektivëve të policisë mbërritën edhe ekspertët e Njësisë Antieksploziv, pasi në ambientet e kapanonit gjenden disa bombola, të cilat fatmirësisht nuk kanë shpërthyer. Shpërthimi i shkaktuar nga bombolat me oksigjen, të cilat ranë kontakt me rrymën elektrike gjatë transportimit me vinç ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, jo vetëm në ambientet e kapanonit, por edhe në bizneset përreth, pronarët e të cilëve shprehen se janë tronditur nga ngjarja.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim. Dyshohet se gjatë punës, vinçieri duke drejtuar vinçin, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm.

Në momentin kur ka ndodhur shpërthimi vinçi dyshohet se ka qenë duke ngritur bombola me oksigjen të cilat po përdoreshin për saldim. Policia bën me dije se është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.

Si pasojë e shpërthimit humbën jetën dy persona, Roland Hoxha dhe djali i tij Elidon Hoxha. Roland Hoxha 55-vjeç alias Landi Verçani (ka ndërruar identitetin për shkak të dokumentacionit), humbi jetën në vendngjarje, ndërsa djali i tij Elidoni ka ndërruar jetë ndërsa po transportohej drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Ndërkohë që i plagosur ka mbetur edhe deputeti Bujar Çela, i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, por sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën. Në gjendje të mirë janë edhe 4 të plagosurit e tjerë që ndodhen nè spitalin e Lushnjës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *