Subscribe

Në muajin shkurt të vitit 2018 policia gjatë operacionit të koduar “the last snow” kapi sasinë më të madhe të kokainës në Shqipëri.

 

613 kilogramë kokainë e ardhur nga Kolumbia, vlera e të cilës shkonte në 180 mln euro, u sekuestrua në magazinat e kompanisë ‘Arbri Garden’ në Maminas, me pronar Arbër Çekajn.

 

Droga ishte futur në një kontenier, i cili kishte kaluar transit përmes Italisë në Maltë e më pas me anije kishte mbërritur në portin e Durrësit.

 

Gjatë operacionit policia arrestoi asokohe menaxherin e kompanisë Donaldo Lushaj, 25 vjeç, shoferin kamionit që transportoi kontenierin me drogë nga porti i Durrësit në Maminas, Armando Pezaku si dhe shpalli në kërkim porositësin e kokainës, Arbër Çekajn, i cili u arratis në Gjermani.

 

Më 19 shtator 2019, Çekaj u ekstradua në Shqipëri ndërsa u dënua në shtator të 2020 me 14 vite burg për trafik të lëndëve narkotike.

 

Por sot, kur kanë kaluar tre vite nga kjo ngjarje, policia ka goditur një tjetër rast të trafikut të kokainës, ndërsa në pranga ka përfunduar babai i Arbër Çekajt, Selim Çekaj.

 

Pas mbylljes së kompanisë ‘Arbri Garden’, babai i Arbër Çekajt, në 21 mars të 2018 hapi një tjetër kompani import-eksporti të fruta perimeve. Kompani kjo që duket se është përdorur në aktivitetin e trafikut të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine pasi policia kapi sërish 49 kilogramë kokainë.

 

Mësohet se 72-vjeçari, ashtu si i biri, Arbër Çekaj ka mohuar që të ketë lidhje më sasinë e kokainës me argumentin se kanë porositur vetëm bananet.

 

Ndërkohë vazhdojnë hetimet pasi ka dyshime të forta nga ana e prokurorisë se sasia e kokainës mund të lidhet me një rrjet të fuqishëm të trafikut ndërkombëtar, i cili përdor Shqipërinë si urë transit drejt vendeve të BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *