Kandidati për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se pika e fortë e programit të koalicionit LDK-AKR, Alternativa lidhet me rritjen ekonomike të vendit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai shpalosi disa pika të këtij programi, me synimin për të marrë votat e zgjedhësve.

 

“Programi ynë ka një axhendë shumë të fuqishme zhvillimore, të zhvillimit të sektorit privat, tërheqjes së investimeve të jashtme, të hapjes së mundësive për të rinj e të reja që hyjnë për herë të parë në tregun e punës, krijimit të të ardhurave për jetë stabile të familjeve të reja. Kjo është pjesa më e rëndësishme e programit, duke mos lënë anash edhe pjesët tjera, siç janë cilësia në arsim dhe në shëndetësi, në veçanti. Dhe pastaj rendi e ligji dhe lufta e pa kompromis kundër korrupsionit”.

 

Sfidë për cilëndo qeveri që do të dalë nga zgjedhjet është çështja e demarkacionit me Malin e Zi dhe raportet me Serbinë.  Këto do të jënë prioritet edhe për koalicionin e Hotit.

 

“Atë që do të bëjmë është që me opozitën e ardhshme edhe me qytetarë që mund të afektohen nga ky vendim, t’i sjellim të gjithë në tavolinë, t’i hapim të gjitha letrat, të maksimizojmë transparencën dhe të dakordohemi se si të lëvizim përpara. Është interes shtetëror që kjo çështje të mbyllet. Është mirë që kemi relacione jashtëzakonisht të mira me Malin e Zi si shtet fqinjë dhe besoj që do të arrijmë që ta zgjidhim këtë çështje dhe të lëvizim përpara me liberalizim të vizave dhe me tema të tjera mandej që janë po ashtu të ndjeshme sikurse kjo. Do t’u japim momentum të ri bisedave me Serbinë. Bisedat duhet të ngrihen në nivel të kryeministrit”.

 

Kandidati për kryeministër hedh poshtë idenë e një koalicioni paszgjedhor me ish-partneren e dikurshme të LDK, PDK-në, duke thënë se synimi është që kjo forcë të mbetet në opozitë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *