Avari në tubacionin kryesor, Vlora mbetet pa ujë

Një avari në rrjetin kryesor të furnizimit me ujë ka lënë pa ujë qytetin e Vlorës. Defekti është konstatuar në lagjen “10 Korriku”, në tubacionin me diametër 700 milimetra, i cili furnizon qytetin përmes depos kryesore të ujësjellësit.
Për shkak të avarisë, shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Vlorë ka njoftuar stakimin e detyruar të stacioneve të ujësjellësit, duke ndërprerë furnizimin me ujë në të gjithë qytetin.
Ndërhyrja për riparimin e tubacionit pritet të jetë e vështirë për shkak të pozicionit të tij, pranë një banese private në lagjen “10 Korriku”. Ekipet teknike duhet të punojnë për eliminimin e defektit në këtë linjë kryesore, dëmtimi i së cilës ka prekur një numër të madh abonentësh.
Sipas njoftimit zyrtar, furnizimi me ujë do të rikthehet pas riparimit të plotë të avarisë. Deri më tani, nuk është bërë i ditur një afat i saktë për përfundimin e punimeve dhe normalizimin e furnizimit.




