Atletico fiton minimalisht me Granadan, Leverkusen barazohet nga Werderi

Atletico Madrid dhe Bayer Leverkusen ripërballen të mërkurën në Champions League, por fundjava rezervoi për to ndeshje të vështira. Kështu në La Liga, Los Rojiblancos u vunë goxha në pozitë për të mposhtur minimalisht 1-0 në transfertë Granadan e vendit të 18-të. Në Los Carmenes skuadra e Simeones ishte me formacion të plotë por konkretizimi përpara portës mungoi deri në minutën e 84-ët, kur Antoine Griezmann zhbllokoi shifrat. Francezi shënoi golin e 13-të sezonal duke nxjerrë sërish nga situata Atleticon. Që pas humbjes me Barcelonën në fund të muajit shkurt, madrilenët kanë rigjetur formën megjithëse jo dhe aq shumë lojën e bukur. Sidoqoftë me golin e Griezmann ata mbeten në garë për vendin e 3-të, me 5 pikë distancë nga Sevilla. Me një optimizëm falë fitores 4-2 të ndeshjes së parë Los Rojiblancos, presin të mërkurën Leverkusenin. Klubi i Aspirinave vazhdon të ketë luhatje në rezultate. Përballë Werder Bremenit ata luajtën mirë, por sërish nuk morën dot 3 pikë të plota. Volland i kaloi ata në avantazh brenda 7 minutave të para të lojës, ndërsa patën edhe raste të tjera për të shënuar. Veterani Claudio Pizzarro barazoi shifrat për Werderin 3 minuta pasi u hodh në lojë. Ndërkohë që tejet dramatike ishte momenti final i ndeshejs. Wendell u nxorr me të kuq teksa Toprak shpërdoroi një penallti. Leverkusen mbetet sërish në mes të tabelës dhe ka 4 ndeshje që nuk fiton.




