Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Dritan Shano mendon se askush nuk ka fuqi të largojë Sali Berishën nga Partia Demokratike.
Në një intervistë për “Quo Vadis” në “Vizion Plus”, me moderatoren Pranvera Borakaj, Shano tha se një vendim për t’u larguar nga jeta politike, mund ta marrë vetëm Berisha.
Megjithatë, sipas tij, ka ardhur momenti që PD-ja të shkëputet nga e shkuara.
“Roli i Sali Berishës do të jetë gjithmonë madhor në PD, për aq kohë sa ai vetë të vendosë të largohet nga politika aktive, kjo është e sigurt. Askush nuk ka forcë të heqë Berishën nga Partia Demokratike, as nga grupi parlamentar. Të mos i shkojë në mendje njeriu. Unë nuk jam tifoz i zjarrtë i metodës politike të zotit Berisha. Çdo njeri është përgjegjës për fatin e vet. Mbetet në dorën e zotit Berisha të vlerësojë sesi do ta çojë ai përpara kontributin politik. Ka ardhur koha që dikush të dalë dhe ta shohë PD-në të shkëputur nga Sali Berisha. PD-ja duhet të shkëputet nga e shkuara, sado e suksesshme të jetë ajo.”






