Asim Vokshi u betua sot para Presidentit të Republikës si anëtari i 8 i Gjykatës Kushtetuese.
Asim Vokshi u zgjodh në Kushtetuese nga anëtarët e Gjykatës së Lartë në 30 shtator dhe mandati i tij do të jetë 9-vjeçar. Vokshi do të zëvendësojë në detyrë kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, mandati i së cilës përfundoi 10 marsin e këtij viti.
Pas ceremonisë në presidencë, Asim Vokshi mbërriti në Gjykatën Kushtetuese, duke nisur zyrtarisht detyrën
Për herë të fundit shkallët e Gjykatës i ngjiti edhe ish-kryetarja Holta Zaçaj. Në përfundim të mandatit në këtë gjykatë, Zaçaj në një njoftim për mediat theksoi se gjatë periudhës 2023–2025 që Zaçaj mbajti postin e kryetares, Gjykata Kushtetuese u përball me vendimmarrje me rëndësi të veçantë, të cilat dëshmuan rolin e saj të pazëvendësueshëm si garante e Kushtetutës.
Në dyert e Gjykatës Kushtetuese tashmë kanë mbërritur çështje të reja, të cilat janë shoqëruar me debate të forta në publik.
Të gjithë politikanët kryesorë në vend do të përballen me 8 anëtarët e Kushtetuese në javët e ardhme; kryeministri Edi Rama kërkon nga Gjykata Kushtetuese heqjen e masës së pezullimit për numrin 2 të qeverisë; kryetari i PD Sali Berisha kërkon heqjen e masës së sigurisë të vendosur nga SPAK-u; kryetari i Partisë së Lirisë kërkon nga kjo gjykatë lirimin nga burgu e për të njëjtën çështje në këtë gjykatë ka shkuar edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.





