“Arsimi fushë jo e lehtë, kërkon buxhet të dedikuar”, zv.ministrja Osmani: Me konviktet merret bashkia, jo ministria
Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, ka komentuar protestat që prej më shumë se një jave kanë përfshirë Tiranën dhe disa qytete të tjera të vendit. Në një lidhje direkte në emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus, Osmani u shpreh se dialogu është zgjidhja e duhur për adresimin e kërkesave të studentëve, ndërsa theksoi se çdo masë ndaj studentëve që përfshihen në akte dhune duhet të jetë proporcionale dhe të zbatohet përmes procedurave ligjore.
Zv.ministrja Osmani: E drejta për të protestuar është një e drejtë legjitime, një e drejtë kushtetuese për të gjitha problematikat dhe ankesat që studentët kanë. Mendoj që dialogu do të jetë zgjidhja e duhur, ulja në tryezë për të pasur të gjithë mundësinë e asaj ç’ka duhet analizuar. Duhet parë me vëmendje pakti i 2018, çfarë është arritur, çfarë pune është bërë deri në 2026. Çdo student ka të drejtën të kërkojë kushte më të mira, cilësi sepse të gjithë jemi duke punuar që të ketë cilësi në arsim. Arsimi është një fushë jo e lehtë, kërkon buxhet të dedikuar. Ne jemi duke punuar shumë për të pasur buxhetin e dedikuar ndaj arsimit sepse një arsim me buxhet do të thotë dedikim më shumë dhe cilësi më tepër në arsim.
Duke folur për Paktin e vitit 2018, zëvendësministrja u ndal te disa prej masave të ndërmarra, përfshirë përgjysmimin e tarifave të studimit dhe rritjen e bursave për studentët me rezultate të larta. Sa i përket infrastrukturës së konvikteve, Osmani sqaroi se kjo çështje nuk është në kompetencën e Ministrisë së Arsimit, por të bashkisë.
Zv.ministrja Osmani: Pakti i 2018 ka një sërë masash dhe duhet parë çfarë është arritur dhe çfarë nuk është arritur. Është përgjysmuar tarifa e studimit për studentët. Njëkohësisht është rritur bursa e ekselencës, studentët që kanë një mesatare të lartë marrin deri në 500 mijë lekë të vjetra. Ndërsa studentët me një mesatare mbi 9, marrin një bursë prej 10 mijë lekësh të reja. Sa i përket infrastrukturës së konvikteve nuk është në element që merret ministria e Arsimit. Konviktet janë pjesë e bashkisë dhe janë ata që sigurojnë kushtet.
E pyetur për paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama se studentët që përfshihen në akte dhune mund të humbasin të drejtën për arsim falas dhe bursat, Osmani theksoi se çdo masë e tillë duhet të mbështetet në bazën ligjore. Sipas saj, deri në këtë moment nuk ka një vendim të tillë, ndërsa qeveria po shqyrton situatën.
Zv.ministrja Osmani: Këto janë vendime ligjore që kanë nevojë të jenë proporcionale dhe të zbatohen përmes procedurave përkatëse. Duhet të dallojmë qartë protestën nga dhuna, kjo është shumë e rëndësishme. Ende nuk ka një vendim të tillë, por qeveria është duke parë të gjithë situatën. Për çdo masë konkrete, administrative duhet të flasim mbi bazën e kompetencave ligjore deri në momentin kur ajo të përfundohet. Ne duam t’i sigurojmë studentëve të gjitha kushtet që ata duan.




