Kanë dalë për tu njohur me masën e sigurisë bosët e kokainës që sipas hetimeve të SPAK prej vitesh ishin të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve te bashkimit europian.
Gjykata e Posaçme la në qeli 3 biznesmenët, vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, ish-bosin e ‘Cinco’-s, Ermir Ndrejaj, të arrestuar pak ditë më parë në kuadër të këtij operacioni. Ndërkohë gjyqtari vendosi që të lirojë nga burgu Ilir Lloshin, i kapur gjithashtu në kuadër të këtij aksioni, pasi rezultoi se ai nuk ishte përfshirë në grupin kriminal që trafikuan në total 6 ton kokainë në Europë. Arrestimi i tij ka rezultuar i gabuar, por ai ishte kapur pasi kishte gjeneralitetet dhe vendbanim të njëjtë me personin e kërkuar nga SPAK.
Përpara trupit gjykues ai u shpreh se nuk ka lidhje me trafikun e drogës dhe madje nuk ka dalë asnjëherë jashtë vendit.
Në këtë senacë gjithashtu u konfirmuan edhe dy masat e tjera, për Erion Alibej dhe Plaurent Dervishaj, të cilët ndodhen në qeli për dosjen Plumbi i Artë. Ishte dëshmia e të penduarit tyë drejtësisë Erion Alibej që ndihmoi hetuesit në zbërthimin e roleve të grupit kriminal.
Gjatë seancës vëllezërit Hoxhosmani kanë mohuar se janë të lidhur me këtë skemë kriminale dhe sipas tyre nuk kanë përdorur programet e koduara SkyECC. Edhe i arrestuari tjetër Ndrejaj, kërkoi masë më të zbutur duke mohuar akuzat. Plaurent Dervishaj mësohet të jetë larguar nga salla për të mos pritur vendimin pasi u paralajmërua nga gjykata të mos fliste pa leje.
Një tjerër emër që rezulton i përfshirë në këtë grup kriminal është Elidon Skëndaj, i njohur me emrat Devid Patrut dhe Devid Boraj, i cili prej disa kohësh fshihet në Dubai. Ndërkohë në Shqipëri figuron si pronar i një lokali në Vlorë dhe i një kompanie ndërtimi.
Sipas dosjes së SPAK, këta persona nga vitet 2020-2021 kanë arritur që të trafikonjë sasi të mëdha kokaine nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Droga fshihej mes konteinerëve, në paleta druri, kuti me banane ose në thasë me kakao. Droga e trafikuar gjatë kësaj periudhe është përllogaritur mbi 6 ton kapte vlerën e 411 milionë euro
/vizionplus.tv





