Apeli për reformën elektorale, Kume: Duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo në funksion të dy partive të mëdha

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Mishel Tarran, apeloi që të nisë sa më parë puna për reformën zgjedhore. Ai kërkoi që me ligjin e ri t’i jepet zgjidhje problematikave të konstatuara nga misioni i ODIHR-it.
Eksperti i çështjeve zgjedhore, Andon Kume, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Roland Zilin, vlerëson se thirrja e ambasadorit të OSBE-së për nisjen e menjëhershme të punës për reformën zgjedhore është një hap i duhur, duke theksuar se koha ekziston, por procesi duhet të fillojë sa më herët.
Ai shtoi se reforma duhet të trajtojë jo vetëm rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, që janë shumë të rëndësishme, por gjithashtu edhe shqetësimet e shoqërisë civile.
Kume thekson si problematika kryesore depolitizimin dhe profesionalizimin e administratës zgjedhore, barazinë në fushatat elektorale dhe ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime zgjedhore.
INTERVISTA E PLOTË:
Si e shikoni thirrjen e ambasadorit të OSBE-së për të nisur menjëherë punën për reformën zgjedhore? Kjo do të thotë se nuk ka shumë kohë në dispozicion. Pra, çfarë ka për t’u nxituar?
Andon Kume: Jo, kohë në dispozicion ka, por është gjithmonë mirë që të fillohet sa më herët të trajtohen çështjet që janë objekt qoftë i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, qoftë edhe i rekomandimeve që vijnë nga vëzhguesit vendorë në Shqipëri. Gjithmonë reformat zgjedhore janë lënë për në momentin e fundit dhe atëherë ato kanë prodhuar pothuajse rezultate minimale dhe janë bërë pothuajse vetëm në funksion të dy partive të mëdha. Nisja e kësaj reforme zgjedhore nëpërmjet një konsultimi publik të gjerë, ashtu siç janë shprehur dy bashkëkryetarët e këtij komisioni për reformën zgjedhore, do të ishte një ogur i mirë për të pasur një reformë gjithëpërfshirëse. Kjo reformë duhet të trajtojë jo vetëm rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, që janë shumë të rëndësishme, por gjithashtu edhe shqetësimet e shoqërisë civile, sepse në fund të fundit zgjedhjet në Shqipëri bëhen për shoqërinë shqiptare dhe nuk bëhen vetëm për partitë politike.
Po cilat janë problemet kryesore që duhen adresuar për t’u zgjidhur nga ky komision përmes kësaj reforme?
Andon Kume: Nëse do të konsiderojmë raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it, disa nga çështjet që ngrihen si shqetësim janë depolitizimi dhe profesionalizimi i administratës zgjedhore, që është një nga çështjet kryesore. Gjithashtu, kërkohet barazi më e madhe në fushatat zgjedhore midis kandidatëve dhe të gjitha partive politike, si dhe mospërdorimi i buxhetit, i administratës dhe i resurseve shtetërore në fushatën zgjedhore. Ndërkohë, ka dhe problematika të tjera të cilat i ngrejmë ne si shoqëri civile. Ne vërejmë se ky sistem zgjedhor nuk arrin ta përkthejë realisht vullnetin e votuesve shqiptarë në një ndarje të drejtë mandatesh në parlament. Është e nevojshme të ndërhyhet në formulën e ndarjes së mandatave. Gjithashtu, është e nevojshme të ndryshohet ndarja e Shqipërisë në 12 rajone. Kushtetuta parashikon që Shqipëria të ndahet në rajone për efekt votimi, por nuk parashikon një numër të caktuar rajonesh. Kjo do të mundësonte që, përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të bëhej një hartë e re me më pak rajone. Kjo do të eliminonte humbjen e madhe të votave për partitë e vogla që shkakton sistemi aktual me 12 rajone. Në fund të fundit, kjo reformë nuk duhet bërë për partitë e mëdha, por për shoqërinë shqiptare. Rekomandimi kryesor i OSBE/ODIHR-it është që të bëhet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të konsultohet publiku e shoqëria civile shqiptare.
A ka çështje, sipas jush, në këtë reformë që duhen kaluar vetëm me konsensus, në mënyrë që të mos ketë kontestime nga palët në të ardhmen?
Andon Kume: Do të ishte e udhës që të gjitha çështjet që prekin ndryshimet e Kodit Zgjedhor të bëheshin me konsensus, jo vetëm të dy partive të mëdha, por të të gjitha partive që janë në Parlamentin e Shqipërisë. Shpeshherë reformat kanë prodhuar rezultate bipartizane në dëm të partive të vogla. Ndaj, duhet që absolutisht të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e partive të vogla, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe komuniteti i shoqërisë civile që merret me çështjet zgjedhore.
Të paktën që nga viti 1996, kemi pasur reforma e ndryshime çdo dy apo katër vjet, dhe sërish sot kemi një apel për reformë. Çfarë garancish kemi sot që kjo do të bëhet një herë e mirë dhe pas katër vitesh nuk do të kemi sërish një ambasador të OSBE-së që kërkon plotësimin e rekomandimeve?
Andon Kume: Fakti që ne kemi pasur reforma zgjedhore pothuajse në çdo proces nuk është negativ, sepse ligji zgjedhor është si një gjallesë që rritet e zhvillohet. Ajo që e bën të ndryshme këtë reformë është se jemi në prag të një procesi anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Për BE-në është shumë e rëndësishme që rregullat e lojës për të ardhur në pushtet të jenë të qarta, demokratike dhe të pranuara nga të gjitha palët. Një nga shtysat që ka klasa politike shqiptare për të bërë një reformë të gjithëpranuar është pikërisht trysnia që vjen nga faktori ndërkombëtar.
/vizionplus.tv




