Me vendim të formës së prerë, Laert Haxhiu u dënua përjetë për masakrën e Lushnjës nga Apeli i Posaçëm.
I konsideruar si një ndër njerëzit më të rrezikshëm në Shqipëri, Haxhiu në bashkëpunim me dy anëtarë të tjerë të grupit kriminal vranë Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën në vitin 2017 duke i ekzekutuar në mes të qytetit, ndërsa plagosën edhe dy persona të tjerë.
Shënjestra e atentatit ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, që për Laert Haxhiun ishte rivali i tij i hershëm, por që eliminimi i tij mbeti në tentativë.
Organi i akuzës u përfaqësua nga Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani që në sallën e gjyqit kërkoi shpalljen fajtor të Haxhiut e lënien në fuqi të vendim të shkallës së parë.
Ai argumentoi se atentati u mori jetën dy njerëzve të pafajshëm pa asnjë motiv, në një kohë kur konfliktin e ka pasur me nipin e kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare.
Dumani për të provuar fajësinë e Laert Haxhiut, tha se i janë referuar pamjeve të kamerave të sigurisë në pikën e karburantit pranë vendngjarjes.
Por avokati që mbrojti Laert Haxhiun, Detar Hysi tha se ky vendim nuk është legjitim dhe se provat që disponon prokuroria nuk përligjin dënimin e klientit të tij me burgim të përjetshëm.
Ndaj ai u kërkoi togave të zeza mospranim e vendimit të shkallës së parë, që këtë të mërkurë u la në fuqi nga Apeli i Posaçëm.
Këtë vendim Hysa tha se do ta ankimojë nëpërmjet rekursit në Gjykatën e Lartë.
Në 20 mars të këtij viti, për të njëjtën ngjarje Apeli dënoi me burgim të përjetshëm edhe Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa Laert Haxhiu asokohe vijonte të ishte i lirë. Më vonë ai u arrestua në Greqi dhe iu dorëzua drejtësisë shqiptare.
Pjesëtarët e grupit akuzohen për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, prodhim dhe armëmbajtje pa leje, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal.
Por kalvari gjyqësor për Laert Haxhiu duket se do të vijojë edhe për ngjarje të tjera të rënda kriminale, pasi ditë më parë një tjetër dosje në adresë të tij u dorëzua në Gjykatën e Posaçme.






Jo “sëiss” por “swiss” … keni korrektor a nuk keni? i keni bërë këto portalet faqja e zezë.