Aeroporti i Shkupi i ka anuluar të premten të gjitha fluturimet e planifikuara, pas disa kërcënimeve me bomba që ka pranuar përmes postës elektronike.

 

 

Drejtuesit e aeroportit kanë evakuuar të gjithë pasagjerët dhe punonjësit, dhe aty tani janë duke bërë hetime forcat policore të antiterrorit.

 

 

Fluturimet nga Shkupi janë anuluar në kohë të pacaktuar, ndërsa ato që kishin si destinacion Shkupin janë devijuar për në aeroportet tjera jashtë Maqedonisë së Veriut.

 

 

Kërcënime me bomba ka pasur edhe në shumë objekte tjera, hotele, qendra tregtare, në 15 shkolla fillore dhe të mesme, në kopshte fëmijësh dhe qendra të ndryshme sportive.

 

Si pasojë e këtyre kërcënimeve është evakuuar edhe hoteli “Aleksandar Palace”, ku ka qenë kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe zyrtarë tjerë të Qeverisë.

 

 

“Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, nga punonjësit e policisë janë marrë masa për evakuimin e sigurt të objekteve dhe po kryhen kontrollet antiterroriste si dhe masat për zbardhjen e rasteve”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

 

 

Alarme për vendosje të bombave ka pasur edhe ditën e mërkurë në 49 objekte të arsimit dhe institucioneve tjera shtetërore, por edhe në qytete tjera si në Kumanovë, Kavadar, Shtip dhe Manastir.

 

 

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se institucionet po punojnë për zbardhjen e këtyre kërcënimeve që kanë nisur më 26 tetor.

 

 

Ai ka thënë se dyshimet janë se bëhet fjalë për “luftë hibride, për futjen e frikës në mesin e popullatës dhe destabilizimin e vendit” dhe se institucionet janë në kontakt me NATO-n dhe faktorë të tjerë ndërkombëtar për ndihmë në zbardhjen e kërcënimeve.

 

 

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kërcënimet në postat elektronike vijnë nga jashtë Maqedonisë së Veriut, por pa dhënë detaje tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *