Anglia mundi 2 me 0 Gjermaninë në sfidën e 1/8 të kampiontit evropian, duke siguruar një biletë për në fazën çerekfinale.

 

“Tre luanët” i realizuan dy golat në pjesën e dytë me anë të Sterling dhe Kane. Njëra prej sfidave klasike të Evropës u luajt fortë dhe me shumë emocion në mitikun “Wembley”.

 

Gjermanët e nisën më mirë sfidën, por me kalimin e minutave, të zotët e shtëpisë fituan metra dhe u përpoqën të rrezikojnë portën e Neuer.

 

Sterling ishte kërcënimi më i madh për Gjermaninë, ndonëse, përpos përpjekjeve, rezultati i pjesës së parë u mbyll 0 me 0. Edhe starti i pjesës së dytë ishte disi i ekuilibruar me ekipet që më shumë u përpoqën të ruajnë njëra-tjetrën sesa të sulmojnë.

 

Minuta e 75 ishte vendimtare për sfidën, pasi anglezët, duke përfituar edhe nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes gjermane, kaluan në avantazh me Sterling, i cili shfrytëzoi maksimalisht një pasim të Shaw.

 

Gjermania pati shansin e madh për t’u rikthyer në ndeshje nëpërmjet një rasti të pastër, por Myller gaboi fatalisht përpara portierit Pickford, duke e dërguar topin jashtë.

 

Për t’i dhënë jetë festës legjitime të Anglisë mendoi Harry Kane, i cili dyfishoi shifrat në minutën e 86 dhe vulosi kështu një kualifikim të merituar drejt fazës çerekfinale, aty ku ishullorët do të gjejnë përballë fituesen e çiftit Ukrainë-Suedi. Ndërsa, Gjermania kthehet në shtëpi përpara kohe, duke i shkaktuar teknikut Joachim Löw, një largim aspak dinjitoz nga stoli i përfaqësueses.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *