Subscribe

Edhe pse nga janari i këtij viti kemi një ligj të ri për tatimin mbi të ardhurat, ku specifikohet se do të taksohen dhe të ardhurat nga puna online, vënia në shina e këtij tregu duket një mision i pamundur. Ekspertë të teknologjisë, por dhe të taksave janë të mendimit se institucionet shqiptare nuk janë gati për të mbikëqyrur botën digjitale.

“Unë mendoj që duhet një “ushtri” digjitale, me ekspertë nga bota informatikës, ekonomikut, policisë në mënyrë që të ndiqen llogaritë dhe aktiviteti i secilit prej tyre për formalizim. A është e lehtë? Aspak. Por ky proces duhet të fillojë, pasi aktiviteti i bizneseve online është vrasësi kryesor i dyqaneve fizike në vend”, – sqaroi Erion Nako, ekspert teknologjie në emisionin “E-ZONE”.

“Unë mendoj se ne nuk jemi gati dhe nuk kemi potencial monitorues. Ne kemi ende mangësi për të luftuar informalitetin në ekonominë reale, jo më të luftojmë informalitetin në botën virtual. Qeveria nisi një komunikim të vonuar me platformat online, siç janë “Booking” dhe “Air BnB” për të taksuar të ardhurat që gjenerohen prej tyre. Këto janë dhe “dallëndyshet” e para të formalizmit të këtij tregu, i cili kërkon shumë energji dhe ekspertë”, -deklaroi Eduart Gjokutaj, fiskalit, në “E-ZONE” Vizion Plus. 

Sipas ekspertëve qeveria duhet të hartojë një strategji kombëtare me institucionet e fushës ku pjesë të jenë dhe krimi kibernetik, ku të përcaktohen  hapa konkretë se si të formalizohet ky treg që po gjeneron miliona./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *