E enjte, 8 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Ambasadorja japoneze në Maliq: Japonia mbështet zhvillimin socio-ekonomik dhe infrastrukturor të Shqipërisë

Maliqi u bë sot qendra e një mesazhi të rëndësishëm bashkëpunimi ndërkombëtar. Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, Kato Kikuko, gjatë një vizite zyrtare në këtë bashki, deklaroi mbështetjen e vazhdueshme të shtetit japonez për Shqipërinë, veçanërisht në fushën socio-ekonomike dhe në forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor.

Qeveria japoneze ka akorduar një grant të posaçëm për Bashkinë e Maliqit, i cili përfshin dhurimin e një mjeti skid-steer loader, pajisje që pritet të përmirësojë ndjeshëm mirëmbajtjen e rrugëve lokale. Në një territor malor që përballet shpesh me reshje të dendura shiu dhe dëborë, infrastruktura rrugore është thelbësore për garantimin e shërbimeve administrative dhe publike për banorët.

Reklamë

Ambasadorja Kikuko theksoi se kjo ndërhyrje do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë dhe aksesit për komunitetin:
“Falë dhënies së këtij mjeti skid-steer loader, kapacitetet e bashkisë për të mirëmbajtur dhe përmirësuar rrjetin e rrugëve lokale do të rriten ndjeshëm. Si rezultat, banorët e Bashkisë së Maliqit do të përfitojnë nga një akses më i sigurt, më i qëndrueshëm dhe më efikas ndaj shërbimeve thelbësore administrative.”

Duke folur për prioritetet strategjike të Japonisë në mbështetje të Shqipërisë, ambasadorja nënvizoi dy qëllime kryesore: mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e barabartë të territorit.
Sipas saj, dhurimi i këtij mjeti logjistik është plotësisht në harmoni me politikat japoneze për zhvillim të qëndrueshëm dhe përforcimin e kapaciteteve vendore.

Reklamë

Ajo gjithashtu kujtoi se mbështetja japoneze për Shqipërinë është e vazhdueshme dhe lidhet me procesin e reformave drejt integrimit europian:
“Japonia ka qenë duke ofruar mbështetjen tonë për të ndihmuar reformat socio-ekonomike të Qeverisë shqiptare drejt integrimit në BE, në kuadër të të ashtuquajturës Nismë e Bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor, e lançuar në vitin 2018. Që prej asaj kohe kemi ofruar mbështetje në forma të ndryshme, me qëllim përmbushjen e objektivave tona.”

Mesazhi i ambasadores vjen në një kohë kur bashkitë e vendit, veçanërisht ato në zona malore, përballen me sfida të konsiderueshme infrastrukturore. Investimi i dhuruar nga Japonia shihet si një ndihmë konkrete dhe e prekshme për komunitetin e Maliqit, duke forcuar lidhjet e bashkëpunimit mes dy vendeve./vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë