Paraditen e kësaj të hëne zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Pecas, në një deklaratë përpara gazetarëve, bëri me dije se duke nisur nga data 1 korrik do të hapen pa asnjë kusht dy pikat e kalimit kufitar, Kapshtica dhe Kakavija.

Por ambasada greke në Shqipëri ka bërë një postim sqarues, ku shpjegon sesi do të kryhet lëvizja e shqiptarëve drejt Greqisë. Referuar këtij njoftimi, linjat detare, rrugore dhe hekurudhore vijojnë të jenë të mbyllura.

“Sipas udhëzimeve evropiane për hapjen e kufijve të BE-së dhe vendimeve respektive zbatuese të Greqisë (ΦΕΚ Β’ 2283/14.06.2020), në lidhje me udhëtimet nga Shqipëria për në Greqi, parashikohet mundësia e realizimit të fluturimeve drejt aeroportit Eleftherios Venizellos të Athinës. Nuk lejohet hyrja e personave nga Shqipëria për në Greqi permes linjave detare, rrugore apo hekurudhore. Përjashtohen: a) Qytetarë Grekë, posedues të Kartës së Veçantë të Identitetit të Homogjenit, poseduesit e lejeve të qëndrimit, si dhe persona që kanë banesën kryesore të tyre apo që qëndrojnë zakonisht në Greqi, b) kalimi i kamionëve për transport mallrash, c) transporti i mallrave me anije, d) hyrja e personave nëpërmjet kufijve tokësorë, për lëvizje absolutisht të nevojshme të karakterit profesional, të cilat i faktojnë me dokumentat përkatëse. Ky regjim lëvizjesh pritet të vazhdojë të jetë në fuqi edhe pas datës 1 korrik. Ambasada e Greqisë në Tiranë do të lajmërojë menjëherë me njoftim të saj, për çdo ndryshim që mund të rezultojë.”

Por duhet theksuar fakti se ambasada greke i referohet një vendimi të disa ditëve më parë të qeverisë greke. Ky vendim përfshin periudhën kohore 15-30 qershor dhe është ende në fuqi. Çka do të thotë se momentalisht, sipas kësaj VKM-je, qarkullimi për shqiptarët drejt Greqisë vijon të jetë i njëjtë, ashtu siç e sqaron edhe ambasada.

Mirëpo pritet që të martën (nesër) të ketë një reagim zyrtar të qeverisë greke, të nxjerrë një VKM të re për të legjitimuar edhe deklaratën e zëdhënësit sot për hapjen e Kapshticës dhe Kakavijës.

Pra, ambasada greke shpjegon sesi bëhet lëvizja edhe në dy ditët e fundit të qershorit, ndërsa nga qeveria greke pritet një vendim se çfarë do të ndodhë në 1 korrik e tutje: Do të ngelen në fuqi këto masa apo do të ketë hapje, siç lajmëroi edhe zëdhënësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *