Zjarret më masive që kanë përfshirë ndonjëherë Amazonën vijojnë të shkaktojnë dëme të pariparueshme ndaj biodiversitetit dhe klimës.

 

Shifrat e fundit zyrtare tregojnë se ka patur 1,700 zjarre të reja mes të dielës dhe të hënës, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 83 mijë,  më i larti të paktën që nga viti 2013.

 

Pamjet satelitore tregojnë një katastrofë të vërtetë natyrore. Mijëra hektarë pyje janë djegur, bashkë me një numër të madh gjallesash, edhe pasi avionët ushtarakë dhe trupat kanë ndërhyrë për ndihmë.

 

Por duket se për presidentin Brazilian, Jair Bolsonaro situata nuk është aq emergjente. Duke folur për mediat, kreu I shtetit tha se ishte i hapur për të diskutuar ndihmën 20 milionë dollarëshe të G7-ës për të luftuar zjarret në Amazonë, nëse homologu i tij francez Emmanuel Macron “tërheq fyerjet” e bëra kundër tij.

 

 

JAIR BOLSONARO

 

PRESIDENT I BRAZILIT

 

“Që ne të bisedojmë ose të pranojmë gjë nga Franca, me qëllimet më të mira të mundshme, homologu francez duhet t’i tërheqë fyerjet ndaj meje, dhe pastaj mund të flasim”.

 

Reagimi vjen pasi presidenti francez Emmanuel Macron në një konferencë për shtyp akuzoi Bolsonaron për sjellje të papërgjegjshme dhe të turpshme pas komenteve të bëra për bashkëshorten e tij në rrjetet sociale.

 

Shkrimtari brazilian Paulo Coelho, kërkoi falje për sjelljen e presidentit Bolsonaro.

 

 

“Kjo është një video mjaft e trishtueshme për t’u kërkuar falje miqve të mi francezë për krizën – madje do të thosha histerinë e Bolsonaros në lidhje me Francën, presidentin francez dhe bashkëshorten e presidentit francez,”

 

 

Jair Bolsonaro është përballur me kritika në vendin e tij për përgjigjen e vonuar ndaj zjarreve dhe mijëra vetë kanë protestuar në Brazil ditët e fundit për të denoncuar shkatërrimin.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *