Subscribe

Partia “Alternativa”, me 4 deputetë ka vendosur t’i bashkohet qeverisë së Maqedonisë së Veriut me qëllimin që të mos pengohet rruga e integrimit evropian të vendit.

 

Në këtë mënyrë partitë në pushtet sigurojnë shumicën e nevojshme parlamentare, e cila humbi pas largimit nga koalicioni qeveritar të lëvizjes “BESA” me dy deputetë. Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev përfundojnë sot marrëveshjen, ndërsa jozyrtarisht mësohet se “Alternativa” do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike, si dhe pritet të ketë dy apo tre poste të zëvendësministrave dhe drejtorive që më parë i përkisnin lëvizjes Besa.

 

“Alternativa”deri tani ishte në koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa deputetët e saj nënshkruan nismën për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, më datë 11 nëntor. Vendimi për të hyrë në Qeveri është kritikuar nga Aleanca për Shqiptarët, e cila e ka akuzuar për shkeljen e marrëveshjes për bashkëpunim opozitar. Ndërsa partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE ka deklaruar se kjo Qeveri nuk ka legjitimitet për të drejtuar vendin dhe se shumë shpejt do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 

Sakaq, zgjedhjet për kryetar të Lidhjes Social Demokrate do të mbahen më 12 dhjetor dhe kryetari i ri i saj pritet të jetë edhe mandatar për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *