Lëvizja Bashkë ka zyrtarizuar kandidatin për zgjedhjet e pjesëshme për bashkinë e Tiranës, të cilat do mbahen në 9 nëntor.
Me anë të një postimi në Facebook, Lëvizja Bashkë bën me dije se do të jetë kryetari, Arlind Qori ai i cili do të garojë për të qenë numri një i kryeqytetit përballë kandidates së PS, Ogerta Manastirliut dhe kandidatit/es të PD (ende i pacaktuar).
Në postimin e Lëvizjes Bashkë theksohet se Arlind Qori është aleternativa e vërtetë për Tiranën.
Postimi i Lëvizjes Bashkë:
Arlind Qori, ALTERNATIVA E VËRTETË PËR TIRANËN
Propozimi i Lëvizjes BASHKË për mbarë qytetarët e Tiranës në zgjedhjet e 9 nëntorit është emri i kryetarit të saj, Arlind Qori, zëri dhe njeriu, arsimtari dhe aktivisti që për mbi një dekadë ka folur çdo ditë mbi qytetin dhe njerëzit e tij, parqet dhe shkollat, ujin dhe ajrin, të drejtën e strehimit dhe transportin publik, korrupsionin dhe keqqeverisjen etj.
Për ne, zgjedhjet në Tiranë nuk janë thjesht një mundësi për ta shndërruar qytetin sipas nevojave dhe aspiratave të qytetarëve, por edhe një betejë idesh dhe shembujsh që do të rezonojnë në të gjithë Shqipërinë.
Prandaj Arlind Qori, me gjithë eksperiencën, seriozitetin, idealizmin dhe qëndrueshmërinë e tij, është alternativa e vërtetë për qytetin e Tiranës.
Me besim te qytetarët dhe përkushtimi i gjithkujt që do të na bashkohet në këtë fushatë, dalshim faqebardhë!
Kujtojmë që Arlind Qori ishte kandidat për Bashkinë e Tiranës edhe në zgjedhjet e 14 majit të vitit 2023, ku mori mbi 13 mijë vota.





