Subscribe

Ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj i kërkon kryeministrit Edi Rama të tregojë sa lekë u shpenzuan dhe çfarë fsheh me “aktin antiligjor të shpalljes sekret të 4 tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë”, për të cilat tha se klasifikimi si sekret shtetëror është e paligjshme.

 

Në një deklaratë për mediat, Alibeaj tha se një kompani antenash televizive, të cilën e konsideron pa përvojë në fushën e shëndetësisë, është një nga fituesit e tenderave të shpallur sekret.

 

”Sa herë qeveria kapet në shkelje të ligjit, ajo fshihet pas heshtjes apo sulmeve politike. Nga Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë reagim për 4 tenderat e klasifikuar “sekret” në kundërshtim me ligjin. Këta tendera nuk kanë lidhje me sigurinë kombëtare. Blerja e mjeteve mbrojtëse për mjekët, pasi u zbulua skandali i maskave të skaduar, e aparateve respiratorë dhe e kiteve për testim gati 1 muaj pas identifikimit të rastit të parë me COVID 19 është bërë me procedure sekrete. Duket e pabesueshme por me procedurë “sekret shtetëror” është bërë edhe tenderi për trajtimin e mbetjeve spitalore.  Pse janë klasifikuar sekret shtetëror këto tendera? Cfarë fshihet pas tyre? Në vend që të bëjë transparencë, qeveria hesht. Edi Rama ka urdhëruar të mbahet sekret informacioni se sa lekë u harxhuan për tenderat urgjentë të Ministrisë së Shëndetësisë, si u përzgjodhën kompanitë fituese apo çfarë ofertash bënë ato. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë sesi po i përdor qeveria paratë e tyre, nëse këto para po përdoren mirë apo nëse me to po abuzohet.”

 

Alibeaj shprehet se kompani pa përvojë paracaktohen për të përfituar nga epidemia dhe se shqiptarët kanë të drejtë të informohen se çfarë fshihet pas procedurave që mbahen sekret.

 

“Pyetjet që kërkojnë përgjigje nga Edi Rama janë pyetje që i bën çdo qytetar që kërkon transparencë nga qeveria e tij. 1. Pse Edi Rama nuk lejon të bëhen transparente procedurat për 4 tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë? 2. Sa është vlera e tenderave të shpallur sekret dhe kush ka paraqitur oferta? 3.Ku e cënon sigurinë kombëtare transparenca për blerjen e respiratorëve, të kiteve për testim, të mjeteve mbrojtëse për stafin shëndetësor apo kush do të trajtojë mbetjet spitalore. Shpallja sekret e 4 tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë është e paligjshme. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë çfarë fshihet pas procedurave që, padrejtësisht, mbahen sekret.  Ajo që tërheq vëmendjen nga shpallja e fituesve është se kompani pa përvojë paracaktohen për të përfituar nga epidemia. Njësoj si në rastin e kompanisë maqedonase të kompjuterave që mori tenderin e ushqimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, edhe në tenderin e klasifikuar sekret të Ministrisë së Shëndetësië ka fituar një kompani antenash televizive.”

 

PD i bën thirrje KLSH dhe SPAK të verifikojnë, të hetojnë dhe të çojnë para drejtësisë këdo që “vjedh paratë e shqiptarëve” gjatë këtyre ditëve.

 

“’TBS 96’ është e njëjta kompani që u përdor për shitjen e dekoderave për qytetarët me përkrahje sociale dhe që vetëm para pak kohësh ka shtuar si aktivitet të saj materialet dhe pajisjet mjekësore. Nëse qeveria këmbëngul të mbajë sekret një aferë duke mos lejuar transparencën, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe SPAK-u e kanë për detyrë të bëjnë transparencë. Ato duhet të verifikojnë, të hetojnë dhe të çojnë para drejtësisë këdo që vjedh paratë e shqiptarëve në ditën më të vështirë. Për SPAK-un e sapokrijuar për të luftuar korrupsionin është e pafalshme heshtja apo infektimi nga virusi i kontrollit prej kryeminisrit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *