Pas Lezhës, ku nisi fushatën e tij në mbështetje të 3 kandidatëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti u ndal në Tiranë, ku hapur kërkoi votat për Boiken Abazin. E para herë që një politikanë i Kosovës, e aq më shumë një kryeministër i zgjedhur, përfshihet në fushatën elektorale në Shqipëri.

ALBIN KURTI

KRYETAR I LËVIZJES “VETËVENDOSJE”

Ndryshimet në Kosovë janë bërë, edhe Shqipëria ka nevojë ndryshime, sepse shqiptarëve u takon më shumë e shqiptarët meritojnë më shumë.

 

Por votat e cilave shtresa dhe grupe synon të marrë Vetëvendosje në Shqipëri?

ALBIN KURTI – KRYETAR I LËVIZJES “VETËVENDOSJE”

Shqiptarët e pakënaqur janë shpresa e Shqipërisë dhe rrjedhimisht edhe e jona. Ne nuk i dallojmë ata, për shkak se hallet e tyre të veçanta janë pakrahasimisht më të vogla se hallet e përbashkëta dhe interesi i përgjithshëm thotë që duhet të trajtohen problemet e përbashkëta të shqiptarëve. Ne besojmë që me politikat e duhura publike, me ligjet e reja në Kuvendin e Republikës, këto edhe mund të adresohen, edhe mund të zgjidhen.

 

Duke u ndalur tek marrëdhëniet me Edi Ramën, Albin Kurti u kujdes të nënvizonte se marrëdhëniet me cilindo kryeministër do të jenë të shkëlqyera.

 

ALBIN KURTI – KRYETAR I “LËVIZJES VETËVENDOSJE”

Porsa të zgjidhet Qeveria e re e jonë në Kosovë, menjëherë do të fillojmë bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë, do të fillojmë bashkëpunimin me Kryeministrin Edi Rama meqë ne do të formojmë qeverinë para zgjedhjeve këtu dhe mund të them që do t’i trajtojmë më prioritet marrëveshjet Kosovë-Shqipëri. Ju e dini që në këto 7 vite numri i marrëveshjeve Kosovë Shqipëri, përfshi dhe memorandumet e bashkëpunimit, është 3 shifror, numri i zbatimit të atyre marrëveshjeve është një shifror. Bashkëpunimin me çdo kryeministër, e ministër e president në Republikën e Shqipërisë do ta kemi të shkëlqyeshëm.

 

Albin Kurti nuk e fshehu angazhimin e tij të plotë në fushatën zgjedhore në Shqipëri, duke kërkuar edhe njëherë hapur mbështetjen për tre kandidatët.

 

ALBIN KURTI – KRYETAR I LËVIZJES “VETËVENDOSJE”

Qarku i Tiranës duhet të votoi Boiken Abazin, Qarku i Lezhës duhet të votoi Iljaz Shehun e Qarku i Gjirokastrës duhet të votoi Kreshnik Merxhanin, e unë do të vij të votoj më 25 prill.

 

Një ditë më parë Albin Kurti shfrytëzoi përvjetorin e besëlidhjes së Lezhës, për të bërë fushatë në mbështetje të njerëzve të Vetëvendosjes në Shqipëri.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *