Alarm për bombë gjatë fluturimit nga Tel Aviv drejt Vjenës, avioni bën ulje emergjentë ne Bullgari

Një avion, që udhëtonte nga Tel Avivi drejt Vjenës, është detyruar të devijojë itinerarin dhe të kryejë një ulje emergjente në Sofje të Bullgarisë, pas një kërcënimi anonim për bombë në bord.
Ne avion ndodheshin gjithsej 57 persona, mes tyre 51 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit. Avioni po fluturonte drejt kryeqytetit austriak kur ekuipazhi mori informacion për praninë e mundshme të një objekti shpërthyes.
Piloti aktivizoi procedurat e emergjencës dhe ndryshoi kursin drejt Bullgarisë. Sipas raportimeve, avionë luftarakë të Forcave Ajrore bullgare u ngritën për ta shoqëruar avionin deri në Aeroportin e Sofjes, ku ai u ul në mënyrë të sigurt.
Menjëherë pas uljes, pasagjerët u evakuuan dhe autoritetet bullgare nisën kontrollet e imtësishme të avionit dhe bagazheve, për të verifikuar nëse kërcënimi ishte real.
Pas përfundimit të kontrolleve, alarmi rezultoi i rremë dhe nuk u konstatua prania e ndonjë pajisjeje shpërthyese.
Pasi autoritetet dhanë miratimin për vijimin e udhëtimit, pasagjerët dhe ekuipazhi u kthyen në bord. Avioni u ngrit sërish nga Sofja duke vijuar fluturimin drejt Vjenës, destinacionit të tij përfundimtar.




