Alarm për bombë edhe në Kryesinë e Kuvendit, Policia nis kontrollet

Një e-mail kërcënues për bombë është dërguar edhe në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, duke ngritur alarmin për sigurinë në institucion.
Pas marrjes së njoftimit, efektivët e Policisë kanë hyrë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit për të kryer kontrollet e nevojshme dhe për të verifikuar nëse ka lëndë të dyshimta.
Mëngjesin e kësaj të hëne u raportua për një mesazh kërcënues për bombë në Gjykatën dhe Prokurorinë e Fierit, ku pretendohet se brenda godinës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO).
Në mesazhin drejtuar institucioneve të Fierit, dërguesi kërcënon me sulme terroriste në territorin e vendit, duke përdorur edhe referenca fetare e politike.
Nuk dihet ende nëse dy kërcënimet kanë lidhje me njëri-tjetrin. Kontrollet vijojnë, ndërsa pritet informacion zyrtar nga autoritetet për situatën në Kryesinë e Kuvendit.




