Vrasja e çiftit Pasho në Itali/ Hetuesit në kërkim të bashkëpunëtorit të 36-vjeçares

Mediat italiane kanë publikuar momentin e arrestimit të 36-vjeçares nga Durrësi, Elona Kalesha, e cila dyshohet se është një nga autoret e vrasjes së çiftit nga Vlora, Shpëtim dhe Teuta Pasho, të cilët u gjetën të copëtuar në katër valixhe.
Hetuesit në Itali kanë arritur në përfundimin se Kalesha nuk ka vepruar e vetme në masakrimin e çiftit Pasho. Autoritetet italiane janë vënë në kërkim të bashkëpunëtorit të ish-të dashurës së djalit të çiftit.
Hetuesit janë të bindur se ka ndodhur për 40 mijë eurot që u zhdukën bashkë me dy të ndjerët para pesë vitesh.
Ajo u vu në pranga këtë të martë sepse akuzohet për vrasje, fshehje dhe masakrim të trupave të pajetë të Shpëtim dhe Teuta Pasho. Për arrestimin e saj, referuar mediave fqinje, janë mbledhur dëshmitë e disa personave.
Ata thonë se e kanë parë 36-vjeçaren në 2015 duke dalë nga një shtëpi e marrë me qira me disa valixhe me disa shenja gjaku. Kujtojmë që trupat e pajetë të çiftit Pasho u gjetën në disa valixhe të copëtuara.
Ndërkohë, Kalesha mohon çdo përfshirje dhe përmes avokatit të saj, Federico Febbo, pretendon se nuk ishte takuar me bashkëshortët Pasho në ato ditë.




