Dy të dyshuarit kryesorë për rrëmbimin, dhunimin e mbytjen me litar të 23 vjeçarit, Renis Dobra nga fshati Zenisht i Matit do të qëndrojnë në burg pa afat. Petrit Çakrri dhe Fation Bushgjokaj dolën para togave të zeza për tu njohur me masën e sigurisë ndaj tyre.
Prokuroria kërkoi arrest me burg për të dy dhe paraqiti provat paraprake të përfshirjes së tyre në ngjarjen kriminale të ndodhur me datë 8 Korrik. Gjykata arsyetoi se autorët mund të largohen si dhe mund të prishin provat.
Nga ana tjetër mësohet se të akuzuarit kanë mohuar para trupit gjykues vrasjen e të riut Dobra.
Petrit Çakrri së bashku me tre vëllezërit Fation, Aleksandër e Kristi Bushgjokaj akuzohen se rrëmbyen, dhunuan e më pas hodhën në lumë 23-vjeçarin. Trupin e tij të pajetë e futën brenda makinës së viktimës, por më pas u gjet në bregun e liqenit të Shkopetit.
Dy nga vëllezërit Aleksandër e Kristi Bushgjokaj dyshohet se tashmë janë larguar jashtë vendit nëpërmjet Kosovës.
Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me përfshirjen në një aktivitet të paligjshëm në Gjermani mes viktimës dhe vëllezërve Bushgjokaj për një sasi lënde narkotike të zhdukur.
Ndërkohë policia është vënë në kërkim të vëllezërve perfshirja e të cilëve në krim është zbuluar nëpërmjet kamerave të sigurisë në qytetin e Burrelit dhe ato të bizneseve në rrugën nacionale Burrel – Skuraj./vizionplus.tv





