Akuzat e Manastirliut irritojnë Bashën: Pse çfarë do të bëj unë, do të mbyll gojën?

Kryedemokrati Lulzim Basha ashpërsoi tonet kur u pyet nga gazetarët për akuzat e hedhura nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu se opozita po bën politikë me pandeminë.
I acaruar, Basha deklaroi se opozita nuk mund të duartrokasë propagandën që bën qeveria. Ai kërkoi që Manastirliu të japë dorëheqjen sepse sipas tij, ka dështuar me menaxhimin e pandemisë.
“Pse çfarë do të bëj unë, do të mbyll gojën? Do të duartokas proapgadnë e mashtruesve? Opozita prandaj është këtu, për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Jam lutur të zbatojnë planin me pesë pika. Janë kapur me presh në duar me mafien e plehrave dhe i lënë njerëzit të vdesin rrugëve. Surratsëzëve. Pse ne e kemi fajin për këtë situatë? Apo të mbyllim gojën edhe ne? Para këtij terrorizmi shtetëror. Po të kishte një fije ndërgjegje le të jepte dorëheqjen sepse ke numrin e testimeve më të ulët në Evropë. Por janë një bandë hajdutësh. Kanë gjashtë muaj dhe nuk kanë marrë asnjë masë. Kemi pesë javë ditëpërditë që u themi ja ku e keni planin, por fajin e paska opozita. Për çfarë e ka fajin opozita? Deklaratë kriminale e ministres së Shëndetësisë.”




