Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana tha në një prononcim për mediat nga qendra e votimit në Tiranë se në përgjithësi procesi i votimit për drejtuesin e ri të PD-së ka shkuar mirë.
Ai iu përgjigj dhe akuzave të bëra nga Agron Shehaj, i cili denoncoi përjashtimin e vëzhgueses nga njësia nr.5 në Tiranë.
Për këtë rast, Gjana tha se ajo shkaktoi 2 orë probleme, duke penguar procesin, e për pasojë u zëvendësua.
“Nuk është përjashtuar asnjë vëzhgues, mbrëmë deri në 12 e gjysmë janë marrë propozimet nga kandidatët për deputetë, kandidati Basha i ka plotësuar komisionet disa ditë më parë, dje kandidati Kadilli ka plotësuar komisionet, me kandidaten Harxhi kemi mbyllur mbrëmë emrat, ka lënë disa komisionet bosh, që ka rënë dakord të mos ketë përfaqësi. Kemi pasur probleme në 7 apo 8 raste të përfaqësuesve të kandidatit Shehaj, erdhën disa propozime, që u refuzuan nga Komisioni, pasi një pjesë e tyre nuk kanë pasur kartë anëtarësie, dhe nuk është pranuar që të ndërrohen vendet nga një komision në një tjetër. Është refuzuar që në njësinë 2 të jetë vëzhgues një anëtar i njësisë 5. Është bërë ndërrimi i vëzhgueses në njësinë 5, e cila shkaktoi për dy orë rresht probleme në qendrën e votimit.”





