Një i ri humbi jetën dhe një tjetër u plagos pas një aksidenti në aksin Fushë Krujë – Kurbin. Por ajo që ka ngritur dyshime në lidhje me ngjarjen, është se makina tip “Audi” me të cilën dy të rinjtë po udhëtonin ka rezultuar e vjedhur në Laç. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, policia gjeti gjithashtu dhe disa maska, doza të vogla lënde narkotike si dhe targa të ndryshme automjetesh.
Aksidenti ndodhi në afërsi të fshatit Borizanë, ndërsa humbi jetën 26-vjeçari Gen Dava si dhe mbeti i plagosur rëndë drejtuesi i mjetit 28-vjeçari, Flogert Vogli.
Sipas policisë, 28-vjeçari Flogert Vogli humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me bordurën anësore të rrugës. Si pasojë e goditjes së fortë, humbi jetën në vend 26-vjeçari Gen Dava, ndërsa u transportua me urgjencë drejt spitalit shoferi.
Gjatë marrjes në pyetje, mësohet se 28-vjeçari Flogert Vogli gënjeu në lidhje me emrin e tij ndërsa nuk pranoi të jepte informacion të detajuar për makinë e vjedhur.
Ndërkohë pas verifikimeve të bëra ka rezultuar se dy të rinjtë ishin me precedent penal për grabitje. Policia dyshon se ata mund të kenë qenë gjatë një tentative grabitje dhe planet u prishën nga aksidenti.