Më shumë persona humbën jetën në aksidente rrugore në vitin 2021 në raport me një vit më parë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se aksidentet rezultuan fatalë për 197 persona me një rritje 8.8 për qind. Rritja për vitin e kaluar në raport me 2020 vjen edhe si rezultat se viti i pandemisë ishte atipik dhe vend hyri në karantinë për disa muaj duke minimizuar kështu qarkullimin e mjeteve në rrugë.

 

Pavarësisht shifrave që ende janë shqetësuese ajo që bie në sy është rënia graduale vit pas viti e numrit të aksidenteve dhe mesatarja disavjeçare mbetet dukshëm më lart se shifrat e sotme. Kështu në vitin 2016 numri i vdekjeve nga aksidentet rrugore ishte 269 apo rreth 37% më lart sesa në vitin 2021.

 

Lidhur me aksidentet në tërësi në muajin dhjetor 2021 numërohen 119 aksidente rrugore nga 113 aksidente të ndodhura në muajin Dhjetor 2020, duke u rritur me 5,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

“Në vitin 2021 numërohen 1.376 aksidente rrugore nga 1.234 aksidente të ndodhura në vitin 2020, duke u rritur me 11,5 %. Krahasuar me vitin 2019, numri i aksidenteve është ulur 8,1 %. Në muajin Dhjetor 2021, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 134 persona nga 147 që ishte në të njëjtën muaj të një viti më parë. Në vitin 2021, numri i të aksidentuarve është 1.860 persona nga 1.598 persona në vitin 2020. Në vitin 2019, numri i të aksidentuarve ka qenë 2.044 persona” thuhet në raportin e INSTAT.

 

Vetëm në dhjetor 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 21 persona, nga 13 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vitin 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 197 persona nga 181 persona të vdekur në vitin 2020 dhe nga 227 persona të vdekur në vitin 2019.

 

Por cilat janë arsyet apo shkaktarët e aksidenteve. Në shumicën rasteve shkak është sjellja e drejtuesve të mjeteve.

 

“Në muajin Dhjetor 2021, aksidentet rrugore, në 85,7 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 25,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 11,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Në vitin 2021, aksidentet rrugore, në 15,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur 17,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me vitin 2019, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 3,7 %” vlerëson INSTAT./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *