Një aksident është shënuar këtë të diel në Lezhë. Drejtuesja e një automjeti tip Benz ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në një kanal anës rrugës.
Ngjarja u regjistrua në aksin që lidh fshatin Kallmet me autostradën Lezhë-Shkodër. Për pasojë, mjeti u rrotullua dhe pësoi dëmtime të shumta, ndërsa dy persona që udhëtonin në të mbetën të bllokuara për disa minuta.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë dy autoambulanca dhe forca zjarrfikëse. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të këtyre të fundit, u bë e mundur nxjerrja e dy shtetaseve nga automjeti i rënë në kanal.
Sipas burimeve mjekësore, të dyja të plagosurat, shoferja dhe pasagjerja, u transportuan në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin trajtim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
“Rreth orës 14:00, në aksin rrugor dytësor, në kryqëzimin Kallmet – Lezhë, automjeti me drejtuese shtetasen Z. B., 31 vjeçe, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe, si pasojë, ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të dëmtuara lehtë drejtuesja e automjetit dhe pasagjerja, shtetasja Z. B., 51 vjeçe. Të dyja ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë, ku po marrin ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftim.
/vizionplus.tv





