Në ambientet e Pallatit të Kongreseve ka filluar sot testimi i kandidatëve që konkurojnë për të ndjekur studimet në Akademinë e Sigurisë, për pozicionin Patrullë e Përgjithshme. Ky është testimi me shkrim që do të zhvillohet gjatë dy ditëve në vijim dhe që i paraprin testimit fizik dhe atij psikologjik.

 

Në këtë testim marrin pjesë rreth 2700 të rinj nga i gjithë vendi, të cilët konkurojnë për 150 vende në Policinë e Shtetit.

 

Në një njoftim të shpërndarë për mediat policia njoftoi se ditën e sotme kandidatët u testuan fillimisht mbi njohuritë e shkollës së mesme, ndërsa në ditët në vijim do të zhvillohen dhe pjesët e tjera të konkurimit siç është testimi fizik dhe ai psikologjik. Ndërkohë, testimi me shkrim u monitorua me kamera edhe nga një grup i Drejtorisë së Përgjitshme të Policisë së Shtetit, nga SHÇBA, ICITAP e PAMECA.

 

Në hapjen e konkurimit, kandidatët i ka përshëndetur edhe Drejtori i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema, i cili deklaroi se testimi do të jetë transparent dhe se do të zgjidhen vetëm më të mirët.

 

“Natyrisht sot është një garë, jo të gjithë do të fitojnë, por ju e treguat veten tuaj. Këtu do të zgjidhen nga ju kolegët më të mirë, në një konkurim që ju do ta shikoni, do të jetë krejt transparent, ku do të testohen njohuritë tuaja që keni marrë në shkollën e mesme, që janë të përgjithshme dhe mbi bazën e atyre, pastaj ju do të vazhdoni me karrierën tuaj në Polici”

 

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në fjalën e tij ka theksuar se të shërbesh në organizatën e policisë është një privilegj.

 

“Unë dua t’ju falenderoj të gjithëve që iu përgjigjët thirrjes sonë për tu bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes në Akademinë e Rendit dhe Sigurisë, iu përgjigjët jo vetëm thirrjes sonë, por dhe dëshirës tuaj për tu bërë pjesë e organizatës së Policisë. Që të jesh punonjës Policie nuk është vetëm privilegj, por dhe është sakrificë dhe ata të cilët do të arrijnë të kalojnë me sukses këtë proces, do të sakrifikojnë nga jeta e tyre, nga koha e lirë e tyre, do të privohen nga disa të drejta, por gjithsesi që të shërbesh në organizatën e Policisë është një privilegj. E tha edhe drejtori i Akademisë që procesi i përzgjedhjes do të jetë një proces i gjatë, do të jetë transparent dhe unë nuk dua që t’ju shtoj më shumë emocione për faktin se sot do të jetë një ditë e gjatë për ju. Ju uroj të gjithëve suksese dhe le të fitojnë më të mirët”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *