Në fillim Shkelzën Gashi, pas ndeshjes me Maqedoninë. Më tej, Ergys Kaçe, pas asaj me Spanjën. Tani, trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, duket se ka ftohur marrëdhëniet edhe me një tjetër futbollist kuqezi. Bëhet fjalë për Amir Abrashin, mesfushori i cili luan te Fraiburgu në Gjermani. Nga një pikë kyçe e mesfushës në Europian francez, kosovari duket se ka humbur fare nga konsideratat e teknikut Italian. 26-vjeçarit, as në sfidën me Spanjën e as në atë me Izraelin së fundmi, nuk iu dha qoftë edhe ndonjë minutë hapësirë në radhët e Kombëtares. E duket gjithçka ka ardhur nga një krisje, që ka pasur në raportet me De Biazin. Mësohet se kjo situatë e krijuar e ka zanafillën prej ndeshjes me Lihtenshtejnin, kur mesfushori u zëvendësua në përfundimin e pjesës së pare. Sigurisht që si çdo futbollisti, atij nuk i pëlqeu zëvendësimi. Mirëpo, tekniku Italian e ka thënë gjithmonë se nuk i vjen mirë kur sheh një lojtar të pakënaqur nga vendimet e tij. Kështu, mes dy palëve ka pasur pakënaqësi, gjë që është reflektuar mbi të gjitha në zgjedhjet e italianit, i cili megjithëse e ka grumbulluar Abrashin, faktikisht nuk e ka aktivizuar fare. Diçka që ka tingëlluar shumë stonuar, duke ditur që në muajin e fundit ai ka qenë një nga mesfushorët më në formë të Bundesligës. Madje duke përfunduar shpesh edhe në formacionet e javës në kampionatin gjerman e jo vetëm. Nuk dihet sesa do të zgjasë kjo mëri e Italianit. Thjesht duhet pritur deri në ndeshjen e ardhshme, atë pas 3 muajve me Italinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *