Partitë politike në Mal të Zi kanë arritur dakordësinë për formimin e shumicës parlamentare duke i hapur rrugë votimit të qeverisë së re, javën e ardhshme.

 

I mandatuari për postin e kryeministrit, Dritan Abazoviç, në një konferencë për mediat deklaroi se ka siguruar mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 gjithsej.

 

DRITAN ABAZOVIC

I MANDATUAR PER KRYEMINISTER, MAL I ZI

 

“Nuk e arritëm numrin magjik 49, por mund të themi se rrallëherë ka ndodhur që një qeveri të mbështetet nga 46 deputetë. Kjo nuk do të thotë se dera është e mbyllur për askënd, por disa subjekte nuk treguan konstruktivitet”.

 

Abazoviç renditi si prioritet kryesor dialogun e gjerë politik duke bërë thirrje për bashkëpunim drejt perspektivës evropiane të vendit.

 

 “Qëllimi është të zhbllokojmë Malin e Zi dhe t’i japim shtetit institucionet funksionale për të fituar qëndrueshmëri. Ne nuk jemi kundër zgjedhjeve, por jemi kundër zgjedhjeve pa institucione. Ndër përparësitë normative është marrëveshja për bartësit e funksioneve gjyqësore, vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe përmbushjen e standardeve të përkohshme, krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të reja dhe ndalimin e largimit të investitorëve ekzistues”.

 

Qeveria e 43-të e vendit do të ketë katër nënkryetarë dhe 20 ministra, nga të cilët, dy do të jenë pa portofol.

 

Fronti Demokratik, që cilësohet si parti pro-serbe dhe pro-ruse por edhe Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual Milo Gjukanoviç, e cila ishte më shumë se 3 dekada në pushtet në Malin e Zi, do të mbeten jashtë ekzekutivit të ri.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *