Një breshëri raketash të lëshuara nga Hezbollahu në Liban ndaj një baze ajrore strategjike në veri të Izraelit, ishte ngjarja e fundit në një seri ndodhish në Lindjen e Mesme, të cilat, sipas analistëve, mund të forcojnë pozicionin e Kinës në rajon dhe krijojnë mundësi të reja që Pekini të zgjerojë ndikimin e tij.

Ky sulm i 6 janarit i shtohet dhunës së intensifikuar – nga sulmet e rebelëve Huthi në Jemen, që mbështeten nga Irani, ndaj anijeve komerciale në Detin e Kuq, sulmeve ajrore nga grupet e lidhura me Teheranin ndaj bazave amerikane në Irak, një bombardim vdekjeprurës në Iran përgjegjësinë për të cilin e mori grupi militant, Shteti Islamik, dhe lufta në Gazë – që vë në hap paqëndrueshmërinë në rritje e cila mund të minojë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve për shmangien e një përshkallëzimi rajonal në Lindjen e Mesme.

Në dritë të këtij mjedisi fluid, vëzhguesit kanë vënë në dukje mundësitë diplomatike dhe politike për Kinën – nga largimi i vëmendjes së SHBA-së nga Indo-Paqësori deri tek aftësia për të shfaqur udhëheqjen e saj diplomatike – ndikimi i së cilës në Lindjen e Mesme është rritur shumë në dekadën e fundit.

Kriza e madhe humanitare dhe numri i lartë i viktimave civile në Gazë si pasojë e sulmeve izraelite në kundërpërgjigje të sulmit të 7 tetorit të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që la të vrarë 1.200 persona, kanë qenë mundësi për Kinën që t’ia lë fajin politikave të SHBA-së në Lindjen e Mesme për armiqësitë.

Në trupat ndërkombëtarë, sikurse Kombet e Bashkuara, Pekini ka shënjestruar Uashingtonin dhe e ka akuzuar për standarde të dyfishta, si pjesë e asaj që ekspertët besojnë se është fushatë e dizajnuar jo vetëm për të rritur ndikimin e tij në Lindjen e Mesme, por edhe në mbarë Jugun Global.

Por, sa ndikim ka realisht Pekini në Lindjen e Mesme dhe sa mirë është e pozicionuar Kina për ta përdorur atë që të shtyjë përpara qëllimet e saj në rajon dhe më gjerë?

Qasja e Kinës ndaj krizave në Lindjen e Mesme

Kina ka krijuar një politikë të kujdesshme ndaj luftës Izrael-Hamas, përmes së cilës ka tentuar që ta kundërshtojë SHBA-në, duke e paraqitur veten si shtet që është kundër ndërhyrjeve nga jashtë dhe si shtet neutral në konflikt. Por, Pekini nuk e ka dënuar në mënyrë eksplicite Hamasin dhe po bëhet gjithnjë e më kritik ndaj Izraelit, teksa ky i fundit po intensifikon fushatën e tij në Gazë.

Pekini deri më tani ka arritur që qëndrimin e tij ta përkthejë në disa përfitime diplomatike.

Më 20 nëntor 2023, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, mirëpriti ministrat arabë dhe të shteteve të tjera myslimane në Pekin në një konferencë, që ishte pjesë e një përpjekjeje diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Gazë. Me një lëvizje të tillë, sipas ekspertëve, synonte që të përfitohej avantazhi nga boshllëqet e supozuara të politikës perëndimore.

“Kina është një mike e mirë dhe motër e shteteve arabe dhe islame”, tha Wang. “Ne gjithmonë me vendosmëri kemi ruajtur të drejtat legjitime dhe interesat e shteteve arabe dhe islamike dhe gjithmonë kemi mbështetur kauzën e drejtë të popullit palestinez”.

Në krizat e tjera në rajon, Pekini ka pasur qasje të njëjtë, duke tentuar që ta paraqesë veten si palë për paqe dhe në të njëjtën kohë ka ndjekur interesat e veta.

Ministria e Jashtme e Kinës shpejt dënoi shpërthimin e dy bombave në Iran më 3 janar, ku u vranë dhjetëra persona, por nuk ka dënuar sulmet në Irak që kishin për shënjestër bazat e SHBA-së, sulme që u kryen nga milicitë e mbështetura nga Irani. Pekini ka folur me terma të mjegullt për sulmet me raketa të kryera nga Hezbollahu në veri të Izraelit dhe për një vrasje në Bejrut – për të cilën është fajësuar Izraeli – duke bërë thirrje të vagullta për ulje të tensioneve dhe njëkohësisht duke mos përmendur me emër asnjë grup.

Por, sa i përket sulmeve të rebelëve Huthi ndaj anijeve komerciale në Detin e Zi, Kina ka pasur një qasje tjetër.

Një anije, e regjistruar në Hong Kong, u sulmua nga rebelët Huthi në dhjetor dhe Cosco, anija shtetërore kineze e transportit që transporton pothuajse 11 për qind të mallrave të tregut, pezulloi më 8 janar dërgesat për në Izrael përmes Detit të Kuq.

Disa analistë kinezë, sikurse Jiang Limeng nga Instituti i Kinës për Raporte Bashkëkohore Ndërkombëtare, institut i lidhur me Ministrinë e Sigurisë Shtetërore, kanë paralajmëruar se problemet në Detin e Kuq mund të dëmtojnë interesat kineze duke rritur çmimin e energjisë, duke ulur tregtinë globale dhe duke kontribuar në një paqëndrueshmëri më të gjerë në Lindjen e Mesme. Por, ekspertë të tjerë kinezë i kanë parë këto sulme si një mundësi.

Në një video të publikuar në fund të dhjetorit në Douyin – që është aplikacioni kinez simotër me platformën TikTok – Xiao Yunhua, profesor në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Ushtrisë Popullore Çlirimtare, argumentoi se rebelët Huthi “pa dashje i bën një favor të madh Kinës” sepse ngufatja e linjave tregtare ka të ngjarë të çojë në rritjen e përdorimit të linjave hekurudhore të ndërtuara nga Kina për tregtinë tokësore midis Kinës dhe Evropës.

“Rebelët Huthi në mënyrë indirekte kanë kontribuar për zhvendosjen e transportit nga deti në tokë, duke minuar supremacinë detare të SHBA-së dhe duke promovuar ndërkombëtare [të Pekinit] të multipolaritetit global”, tha Xiao.

Kina e ka portretizuar veten si lojtare neutrale gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe viteve të fundit ka fuqizuar qëndrimin e saj me lojtarët rajonalë, sikurse Irani dhe Arabia Saudite.

Energjia, veçmas nafta, kanë qenë në masë të madhe arsyeja e angazhimit të fundit të Peknit.

Kina është blerësja kryesore në botë e naftës nga Arabia Saudite – prodhueses së dytë në botë të naftës pas SHBA-së – dhe gjysma e importeve të naftës së Kinës dhe mbi një e treta e gjithë naftës që përdoret në Kinë, vjen nga Gjiri Persik, sipas Kpler, një firmë konsulence e inteligjencës.

Po ashtu, në dy vjetët e fundit, sipas Kpler, Kina ka trefishuar importet e naftës iraniane.

Kina po ashtu i kishte premtuar Iranit më 2021 se do të investohet 400 miliardë dollarë në këtë shtet, në këmbim të furnizimeve me naftë dhe karburante. Megjithatë, sanksionet perëndimore ndaj Teheranit ia kanë pamundësuar Pekinit që të përfitojë nga kjo marrëveshje.

Pekini ka qenë aktiv edhe në aspektin diplomatik.

Në qershor të vitit 2023, Kina e ngriti raportin e saj me Autoritetin Palestinez në nivel të “partneritetit strategjik” – rangu i dytë më i lartë i ndërveprimeve diplomatike – dhe udhëheqësi kinez, Xi Jinping, ofroi një propozim me tri pika për rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete, me synim për të arritur “një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e Palestinës”.

Në mars të vitit 2023, Pekini ndërmjetësoi një marrëveshje për t’i ndihmuar Iranit dhe Arabisë Saudite që të rivendosnin raportet, marrëveshje që ndihmoi të përforcohej pozicioni i Kinës si paqebërëse në rajon.

Analistët thanë se kjo rriti pritshmëritë që Kina të luajë një rol më të madh diplomatik pas shpërthimit të luftës në Gazë, por Pekini deri më tani nuk i ka përmbushur këto pritshmëri.

Fan Hongda, profesor i studimeve të Lindjes së Mesme në Universitetin e Shangait për Studime Ndërkombëtare, shkroi në nëntor se Pekini mund të përballet me një sërë problemesh nëse lufta Izrael-Hamas vazhdon dhe paqëndrueshmëria përhapet edhe në shtetet tjera.

“Me Pekinin që veçse po i kushton vëmendje të madhe çështjes palestineze, shtetet e tjera – dhe veçmas në Lindjen e Mesme – po e vënë në dyshim aftësinë e Kinës që t’i përgjigjet luftës Gaza-Izrael”, shkroi ai. “Qartazi, kjo është një sfidë edhe për Kinën”.

Ky paralajmërim veçse është bërë realitet. Përpjekjet e Kinës për të ndërmjetësuar janë zvogëluar pasi Pekini mbajti konferencën në nëntor dhe i dërguari i Kinës për Lindjen e Mesme, Zhai Jun, nuk ka pasur aktivitete publike që kur realizoi vizitën e tij të vetme në rajon në muajin tetor.

Lufta në Gazë po ashtu ka dëmtuar raportet e Pekinit me Izraelin, i cili më herët po bëhej një partner gjithnjë e më i ngushtë i Pekinit në Lindjen e Mesme dhe shtet ku kompanitë kineze investuan shumë në teknologjinë e avancuar dhe në portet e tij strategjike.

Mundësi afatshkurtër vs. rrezik afatgjatë

Fan po ashtu paralajmëroi se paqëndrueshmëria në rritje është kundër interesave të Kinës, pasi do të largonte nga rajoni përqendrimin në tregti dhe investimet ekonomike dhe fokusi do të ishte në siguri.

“Nëse situata në Lindjen e Mesme vazhdon të përkeqësohet, udhëheqësit në Lindjen e Mesme pashmangshëm do të përqendrohen më shumë në sigurinë kombëtare, e cila nuk është në thelb të bashkëpunimit Kinë-Lindje e Mesme”, shkroi ai.

Përderisa Kina ka treguar se mund t’iu përgjigjet mundësive, Fan paralajmëroi se një konflikt i zgjatur mund të shfaqë limitet e Pekinit në terma afatgjatë.

Përderisa Wang ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinkne, për stabilizimin e rajonit, SHBA-ja ka dalë të jetë aktorja e vetme që ka fuqi të mjaftueshme diplomatike për t’u angazhuar në mbarë Lindjen e Mesme.

Blinken realizoi një turne rajonal, që përfshiu ndalesa në Jordani, Katar, Emirate të Bashkuara Arabe, Arabi Saudite, Izrael, Bregun Perëndimor, Egjipt, Turqi dhe Greqi. Ndërkaq, ka ende pyetje lidhur me atë nëse Pekini ka vullnet apo aftësi që të ushtrojë presion ndaj Teheranit, apo partnerëve të tij, për të ulur tensionet.

“Kina mund të bëjë pak për të bindur Iranin që të frenojë Hezbollahun libanez nga sulmet në veri ndaj Izraelit, apo të ndalë micilitë shiite irakiane që të ngacmojnë trupat amerikane dhe diplomatët”, shkroi Ahmed Aboudouh, bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut.

“Edhe nëse do të mund të bënin këto, kinezët nuk do të vinin në rrezik raportet e tyre me partnerët strategjikë për t’i servuar Uashingtonit një fitore”, shtoi ai.

Situata mund t’i kthehet bumerang Kinës nëse paqëndrueshmëria do të vazhdojë të përhapet, shkroi Niu Xinchun, drejtor i studimeve për Lindjen e Mesme në Institutin e Kinës për Raporte Bashkëkohore Ndërkombëtare, institut që udhëhiqet nga Ministria kineze e Sigurisë së Shtetit, dhe ka selinë në Pekin.

“Nëse Lindja e Mesme vërtetë zhytet në një trazirë të shkallë së plotë, Kina, si partnerja më e madhe tregtare e rajonit dhe blerësja më e madhe e naftës së Lindjes së Mesme, do të shndërrohet në viktimën më të madhe”, shkroi ai.

Niu shtoi se Kina vazhdon të jetë e vetmja anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nuk ka baza ushtarake apo trupa të stacionuara në Lindjen e Mesme dhe se do të ketë më pak ndikim për të përdorur nëse bisedat kalojnë në çështjet e sigurisë kombëtare.

“Ndikimi i Kinës në shpërthimin e krizave në rajon dhe shkallës së tyre është i kufizuar”, shkroi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *