Kur Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vizitoi Dresdenin më 20 gusht për ceremoninë e themelimit të një fabrike të re të prodhimit të gjysmëpërçuesve, ajo solli një dhuratë prej 5 miliardë eurosh. Në fakt nuk ishte vërtet dhuratë, madje nuk ishin as para evropiane. Ajo që bëri von der Leyen në orët e para të mëngjesit ishte miratimi i granteve të qeverisë gjermane për projektin.

Ishte drita jeshile zyrtare e nevojshme për të realizuar një projekt në shkallë të gjerë, i cili është pjesë e synimit të Gjermanisë për të zhvilluar sektorin e saj të prodhimit të gjysmëpërçuesve. Kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në vendosjen e gurthemelit u shpreh i kënaqur.

Silicon Saxony së shpejti funksionale

Fabrika e re pritet të punësojë 2000 vetë dhe do të jetë funksionale deri në vitin 2027. Projekti është një sipërmarrje e përbashkët e ESMC (European Semiconductor Manufacturing Company) dhe partnerëve të saj Bosch, Infineon dhe NXP.

Shtysa pas marrëveshjes është TSMC me bazë në Tajvan, prodhuesi më i madh i gjysmëpërçuesve në botë. Ky është hapi i parë i kompanisë në Evropë.

Kur bëhet fjalë për gjysëmpërçues, ka rëndësi madhësia

Silicon Saxony është një rajon që përfshin një rreze prej 100 kilometrash rreth Dresdenit, kryeqyteti i landit rajonal gjerman të Saksonisë. Pas një periudhe të vështirë, rajoni ka parë një trajektore në rritje gjatë 15 viteve të fundit.

Sot, kjo qendër e teknologjisë së lartë ka 3600 kompani aktive në fushën e mikroelektronikës, softuerëve apo si furnizues të këtyre kompanive. Këto kompani punësojnë rreth 81.000 njerëz, një e treta e të cilëve janë gra.

Sipas Frank Bösenberg, shefit ekzekutiv të një shoqate industrie të quajtur gjithashtu Silicon Saxony, rritja e vazhdueshme përgatit terrenin që në këtë industri të punojnë rreth 100.000 punonjës deri në vitin 2030. Sipas llogaritjeve të tij, ky sektor atëherë do t’ia kalonte sektorit të automobilëve dhe do të bëhet industria më e rëndësishme në Saksoni.

Në një intervistë për DW, Bösenberg e përshkroi punën e tij si një përzierje të politikës, zhvillimit ekonomik, ekspertizës së marketingut dhe menaxhimit. Përveç fokusimit në Saksoni, ai koordinohet me grupe të tjera gjysmëpërçuese në Francë, Belgjikë, Holandë, Suedi, Itali, Austri dhe Republikën Çeke.

Ndërto dhe ata do të vijnë?

Saksonia ka qenë një qendër prodhimi që nga vitet 1980. Pjesërisht në sajë të kësaj historie të gjatë, Silicon Saxony është sot qendra më e madhe e mikroelektronikës në Evropë, me zgjedhjen më të madhe të punëdhënësve dhe numrin më të madh të partnerëve ose konkurrentëve. Ky ekosistem, i cili përfshin universitetet teknike të Dresdenit dhe qytetin e afërt të Chemnitz-it, ka qenë në gjendje të mbështesë veten dhe të rritet.

Ndërtimi i fabrikave është njëra pjesë e ekuacionit. Të kesh njerëz të kualifikuar për të punuar në to është pjesa tjetër, dhe këtu Saksonia dhe Turingia fqinje mund të kenë probleme.

Landet, dhe Gjermania Lindore në përgjithësi, nuk kanë qenë gjithmonë mikpritës me të sapoardhurit. Për një rajon që mbështetet shumë te punëtorët e huaj të kualifikuar, frika e intolerancës mund t’i mbajë punëtorët larg. Nëse këto frikëra mbështeten nga një qeveri më e djathtë, gjërat mund të përkeqësohen.

Deri tani, kompanitë e Silicon Saksonisë kanë qenë në gjendje të përballojnë sfidën e gjetjes së punëtorëve të kualifikuar. Frika se fabrikat e reja të mëdha do të largonin punëtorët nga bizneset e vogla nuk u materializuan, pasi gjithnjë e më shumë njerëz nga jashtë rajonit i zbuluan vendet e punës që ofroheshin.

Bösenberg tha se rritja mund të çojë në probleme të tjera, si vështirësi strehimi, shkollat dhe transporti publik. Projektet e infrastrukturës në Gjermani janë të njohura se janë të ngadalta dhe e kapërcejnë buxhetin e paracaktuar. Në Saksoni, shumica e planifikimit bazohet në tkurrjen e rajonit dhe jo në rritjen e tij. Rreth Dresdenit, situata aktuale është “e mirë deri në shumë e mirë”, thotë Bösenberg, por ajo duhet të ruhet. Së shpejti do të nevojiten më shumë banesa. Tashmë është e vështirë të gjesh apartamente më të mëdha. Një nga sfidat është të përcaktohet se kush do të vijë për të plotësuar vendet e punës: beqarë apo çifte dhe sa fëmijë do të sjellin? Ka shumë faktorë që modifikojnë nevojat.

Premtime të pambajtura ndërtimi

TSMC në Dresden kaloi shpejt nga diskutimet në vendosjen e gurit të themelit. Diku tjetër, projektet nuk kanë ecur kaq shpejt. Vitin e kaluar, qeveria nënshkroi një marrëveshje me Intel-in për të ndihmuar në ndërtimin e dy vendeve të prodhimit të gjysmëpërçuesve në qytetin lindor të Magdeburgut. Investimi total mund të arrijë në rreth 30 miliardë euro.

Në atë kohë, kancelari i quajti planet e kompanisë si investimi më i madh i huaj direkt në historinë gjermane. Ndërtimi pritet të fillojë këtë vit, por ende nuk ka ndodhur gjë. Ndërkohë, kompania njoftoi se duhej të reduktonte fuqinë punëtore dhe investimet. Në rajonin e Magdeburgut, shumë dyshojnë se a do të ndërtohet gjë.

Wolfspeed, një prodhues amerikan i gjysmëpërçuesve, po përpiqet gjithashtu të hapë një fabrikë prej disa vitesh në landin e Zarës, në Gjermaninë perëndimore. Vendosja e gurthemelit të kësaj fabrike, e cila do të prodhonte gjysmëpërçues për industrinë e automobilëve, është shtyrë nga viti 2023 në 2025.

Për më tepër, Gjermania duhet të mendojë në plan më të gjerë. Fabrika prej 10 miliardë eurosh e TSMC është një shtesë e mirë për Silicon Saxony, por ajo zbehet pas 65 miliardë dollarëve (58 miliardë euro) që kompania planifikon të shpenzojë për të investuar në tre fabrika të reja në Arizona, Shtetet e Bashkuara, deri në vitin 2030.

Në gusht, Departamenti Amerikan i Tregtisë njoftoi se gjatë dy viteve të fundit, Akti i CHIPS dhe Shkencës ka siguruar më shumë se 30 miliardë dollarë financim për 23 projekte, duke përfshirë 16 objekte të reja të prodhimit të gjysmëpërçuesve, në 15 shtete amerikane.

Disa i vënë në dyshim të gjitha këto subvencione, veçanërisht kur investimet mbështesin prodhimin dhe jo kërkimin dhe zhvillimin (R&D). TSCM dhe Intel, për shembull, do të vazhdojnë të mbajnë kërkimin dhe zhvillimin afër vetes, duke e lënë Gjermaninë të bëhet një linjë prodhimi për të tjerët.

A ka rëndësi “Made in Germany” tek gjysëmpërçuesit?

Megjithatë, për shumë klientë etiketa “Made in Germany” nuk do të thotë shumë kur bëhet fjalë për gjysmëpërçues, veçanërisht pasi askush nuk i sheh vërtet gjysmëpërçuesit. “Si klient, nuk të intereson nëse çipi vjen nga Dresdeni apo Hsinchu [në Tajvan]. Cilësia duhet të jetë e duhur,” tha Frank Bösenberg për DW.

Nëse Gjermania dëshiron të bëhet më pak e varur nga të tjerët për gjysmëpërçuesit e saj, ajo duhet të sigurojë cilësi superiore me një çmim konkurrues global. Made in Germany nuk mjafton. Sipas Bösenberg-ut, Gjermania ende merr pjesë në garën e gjysmëpërçuesve. Megjithëse ai beson se duhen bërë ende përparime. “Po, ne jemi Silicon Saxony. Po, ne jemi qendra më e madhe e mikroelektronikës në Evropë,” tha ai. “Por në fund të fundit, Evropa është shkalla e matjes, rajoni, niveli në të cilin gjërat duhet të arrihen, sepse përndryshe do të jemi shumë të vegjël dhe askush nuk dëshiron të jetë i vogël kur bëhet fjalë për gjysmëpërçuesit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *