A ngjason protesta e sotme me 21 Janarin e 2011? Topi përgjigjet në “Të Paekspozuarit”

Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka analizuar në studion e “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit atë që po ndodh sot në Shqipëri.
I pyetur nga moderatori Rakipi nëse protesta e sotme ka ngjashmëri me atë të 21 janarit 2011, kur humbën jetën katër qytetarë në Bulevard, në kohën kur zoti Topi ishte President i Republikës, ish-kreu i shtetit tha se ato nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Sipas tij, në vitin 2011 protesta ishte një përballje mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa sot qytetarët janë përballë qeverisë.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: A ngjan kriza politike e sotme me 21 janarin?
Topi: Nuk ka ngjashmëri.
Rakipi: Pse?
Topi: Sepse më 21 janar ndodhi një konfrontim, një përplasje mes mazhorancës dhe opozitës në mënyrë të strukturuar. Sot po ndodh një gjë shumë e veçantë. Sot politikanët e opozitës nuk pranohen në protestë. Ka një specifikë më të hollë: struktura e moshës së protestuesve është mjaft e ulët. Rrallë shohim në protestë njerëz të një moshe të caktuar. Të rinjtë, veçanërisht studentët, besoj se nuk janë të dhunshëm. Ata kanë një lloj pakënaqësie të pashprehur edhe ndaj brezit paraardhës. Mos kujto se një lider politik qëndron kaq gjatë në politikë pa pasur mbështetje.




