Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku u diskutua kërkesa e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj deputetes Belinda Balluku, deputeti Ulsi Manja prezantoi raportin e përgatitur nga anëtarët e mazhorancës në Këshillin për Mandatet dhe Imunitetin. Në fjalën e tij, Manja argumentoi se, sipas vlerësimit të mazhorancës, nuk plotësohen kushtet ligjore për rëndimin e masës së sigurimit ndaj Ballukut.
Sipas tij, argumentet e paraqitura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk provojnë ekzistencën e rrezikut për prishjen e provave apo nevojën për zëvendësimin e masës aktuale të sigurimit (pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë vendit) me atë të arrestit në burg apo arrest në shtëpi.
Manja: Lidhur me nevojën e rëndimit të masës së sigurimit, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në relacionin që bashkëshoqëron kërkesën, thotë se janë shtuar edhe disa fakte apo episode të reja penale, çka sipas Prokurorisë rrit sanksionin e veprës dhe dëmin hipotetik që mund të ketë pësuar shteti nga këto procedura të prokurimit publik.
Edhe me shtimin e episodeve të reja të pretenduara ka një fakt që nuk ndryshon: vepra penale mbetet e njëjta, “shkelje e barazisë në tendera”. Pra nuk ka një vepër penale të re që të jetë shtuar nga SPAK për deputeten Belinda Balluku. Pretendimi për rëndimin e nevojave të sigurimit, sipas vlerësimit tonë, nuk përmbush standardin procedural për zëvendësimin e masës së sigurimit.
Sa i takon rrezikut të prishjes së provave, SPAK përmend mundësinë e ndikimit përmes personave me influencë, zyrtarëve të administratës dhe tentativa presioni ndaj dëshmitarëve. Lidhur me këtë pretendim, në kërkesën e SPAK Prokuroria i referohej funksioneve ekzekutive që ushtronte Balluku, por ky shkak tashmë ka rënë.
Po ashtu, lidhur me rrezikun e prishjes së provave, sot që flasim nuk ka një akuzë për pengim të drejtësisë dhe nuk ka asnjë provë që Balluku të ketë përdorur ndikimin e saj për të prishur provat. Vepra penale për të cilën akuzohet është një vepër me natyrë administrativo-penale.
Në përfundim, ne si anëtarë të mazhorancës arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit, me një masë më të rëndë, si arresti me burg apo arresti në shtëpi.
Ai i sugjeroi Kuvendit të Shqipërisë që në seancën e 12 marsit, ku do të diskutohet kërkesa e SPAK, deputetët të rërzojnë kërkesën.
Manja: Në mbështetje të neneve të Kushtetutës së Shqipërisë, ne si anëtarë të shumicës parlamentare në Këshillin për Regulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i rekomandojmë seancës plenare rrëzimin e kërkesës për dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku.
Ky rekomandim nuk e pengon SPAK-un të vazhdojë hetimet ndaj Ballukut, pasi ka një masë për ndalimin e daljes jashtë shtetit që garanton vazhdimin e procedimit penal të nisur ndaj saj. Këtë e konsiderojmë si një çështje që i takon drejtësisë.
Duhet të pritet përfundimi i hetimeve për të parë ecurinë e këtij procesi. Për veprën penale të “pabarazisë në tendera” tashmë ka një praktikë të konsoliduar të hetimit pa masë sigurimi personal, e jo më të kërkohet zëvendësimi i masës së ndalimit jashtë shtetit me një masë më të rëndë. Kjo lidhet me standardet e gjykimit të një procesi të rregullt ligjor./vizionplus.tv





