Subscribe

Për konstitucionalistin Kristaq Kume, Gjykata Kushtetuese pasi la në fuqi “30 qershorin”, humbi rastin për t’i dhënë përgjigje nëse dekreti i presidentit Ilir Meta për anulimin dhe më pas caktimin e një date të re për zgjedhjet vendore të 2019 ishte i mbështetur në kushtetutë apo jo.

 

“Ajo që unë prisja ishte që Gjykata Kushtetuese të përgjigjej nëse vendimarrja e presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve dhe dekretimin e një date tjetër ishte apo nuk ishte një akt me karakter të përgjithshëm, ishte apo nuk ishte ky një akt normativ kushtetues apo ishte vetëm një akt nënligjor individual dhe si i tillë mund të bëhej objekt shqyrtimi nga institucionet e tjera, siç është KQZ-ja. Ishte rasti kur GJK të jepte përgjjigje dhe të normalizonte sjelljen e institucioneve të ndryshme dhe detyrimeve që ato kanë në zbatim të legjislacionit shqiptar për zgjedhjet vendore.”

 

Legjitimiteti i vendoreve të 2019-ës nga kushtetuesja e vë presidentin para përgjegjësisë për të përmbushur detyrimin kushtetues, shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme vendore, konkretisht në gjashtë bashki të mbetura pa kryetar për shkak se janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit apo nën hetim për akuzën e korrupsionit.

 

Pasi vendimi i kushtetueses botohet në fletoren zyrtare, Kristaq Kume thotë se kreu i shtetit vihet në dijeni për vakancat nga disa institucione dhe brenda një afati të shkurtër kohor duhet të shprehet.

 

“Këtë e bën Këshilli i Qarkut, pra qarkut përkatës ose prefekti. Ai duhet t’i përgjigjet kësaj situate me dekretimin, kjo është rruga normale. Po kaq normale mund të quhet edhe ajo tjetra, që presidenti mund të thotë, po, vendimi i GJK është tashmë një akt me fuqi vepruese, por unë e atakoj këtë në një gjykatë ndërkombëtare.”

 

Çfarë ndodh nëse presidenti i përmbahet deklaratës së tij, që vendimin e kushtetueses do ta çojë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut?

 

“KRISTAQ KUME

KONSTITUCIONALIST, ISH-KRYETAR I KQZ

Si rregull i përgjithshëm, dihet që n.q.s një çështje e kalon për t’u gjykuar si e tillë në gjykatë, veprimet mbi të pezullohen deri sa të shprehet gjykata. Në këtë rast, ky parim i përgjithshëm funksionon edhe nëse presidenti i drejtohet Gjykatës së të Drejtave të Njeriut për të trajtuar këtë vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese.”

 

Deri më tani Partia Socialiste është deklaruar gati për të hyrë në zgjedhjet e pjesshme vendore. Nga demokratët nuk ka ende një qëndrim zyrtar. Mbetet për t’u parë nëse prefektët apo drejtuesit e këshillave të qarqeve si dy nga institucionet të drejtuar nga socialistët do ta vejnë në dijeni presidentin dhe nëse ky i fundit do të shpall zgjedhjet për gjashtë bashki apo vendimin e tij do ta fus në kurthin e një gjykate ndërkombëtare.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *