Subscribe

Në Pogradec u zhvillua për herë të parë një maratonë ndërkombëtare e certifikuar nga Federata Botërore e Atletikës, ku morën pjesë më shumë se 600 atletë nga 37 vende të Evropës.

 

Sportistë profesionistë, amatorë dhe turistë vendas e të huaj morën pjesë në dy gara prej 10-të dhe 21- të kilometrash.

 

Në finishin e 21 kilometrave mbërriti i pari kosovari Tiron Mamushaj, ndërsa në garën e 10 kilometrave doli fituese kosovarja Greca Bakoshie, që pak ditë më parë ishte pjesë e një tjetër maratone në Shtetet e Bashkuara.

 

Pjesë e këtij kompeticioni ndërkombëtar ishin edhe emra të tjerë të njohur sportive.

 

Emocione të shumta dhuroi familja Leka, e cila u nis nga kryeqyteti posaçërisht për këtë maratonë. Kryefamiljari e përshkoi të gjithë distancën duke pasur me vete në karrocë edhe 2 fëmijët e tij.

 

Pjesë e kësaj maratone ishin edhe kryebashkiaku Ilir Xhakolli, si dhe prefekti i Korçës Nertil Jole.

 

Maratona e Pogradecit pas certifikimit nga Federata Botërore e Atletikës do të organizohet çdo vit në qytetin liqenor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *