E diel, 27 Shtator 2026 Familja Kuqezi deri në 16:30 Në vijim ora 16:30: Serial Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

5 vite SPAK, Dumani: Drejtësia nuk ka kah, s’ka zyrtarë imunë! Të gjithë të barabartë para ligjit

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, feston sot 5 vjetorin në një aktivitet të organizuar ku të pranishëm janë edhe Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexandër Kasanof dhe ambasadori i BE-së.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, në fjalën e tij u shpreh se drejtësia nuk njeh anë dhe kah dhe nuk ka persona të paprekshëm. Sot nuk mund të ketë zyratrë të imunizuar, theksoi Dumani në fjalën e tij

Altin Dumani: Pesë vjet më parë, shoqëria shqiptare vendosi të hedhë me besim hapin vendimtar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prokuroria e Posaçme u krijua për të treguar se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të jetë i privilegjuar prej tij.

SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar mbi 182 milionë euro asete, të siguruara përmes mjeteve të paligjshme. Drejtësia nuk njeh anë dhe kahe, nuk ka të paprekshëm nëse ligjet e këtij vendi shkelen. Janë proceduar 61 zyrtarë të lartë për korrupsion, nga të cilët 70% janë dërguar në gjykim.

Sa i përket krimit të organizuar, janë proceduar 955 persona nga ku 55% e tyre janë dërguar në gjykim. Në fushën e terrorizmit, janë proceduar 29 persona nga ku 100% e tyre janë dërguar në gjykim.

Në këto pesë vite kemi ndëshkuar zyrtarë të lartë të te gjitha niveleve dhe kemi treguar se korrupsioni sfidohet, krimi i organizuar vihet përpara përgjegjësisë, dhe askush nuk është mbi ligjin. Ne jemi krenarë për kontributin tonë në lehtësimin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane, duke ruajtur standardet evropiane të zbatimit të ligjit.

Kreu i SPAK theksoi se misioni i Prokurorisë së Posaçme nuk mbaron këtu. Dumani premtoi se do të vijojnë të garantojnë një sistem drejtësie të fortë ku ligji zbatohet dhe nu është privilegj vetëm për një numër të cakuar personash. Korrupsioni dhe krimi nuk mund të zhduken brenda ditës, por Dumani theksoi se do të qëndrojnë të palëkundur për t’i shërbyer vendit.

Altin Dumani: Misioni ynë nuk përfundon me dosjen e radhës. Ne jemi këtu për të garantuar një sistem drejtësie të fortë, ku ligji zbatohet dhe nuk është privilegj për disa e vuajtje për të tjerët.

Shpreh mirënjohjen për partnerët tanë ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, të cilët qëndrojnë krah për krah me ne, duke mundësuar zgjerimin e bashkëpunimit dhe rritjen e shkëmbimit të informacionit për hetimet tona të përbashkëta.

 Korrupsioni dhe krimi nuk mund të zhduken brenda ditës. Por përballë çdo kërcënimi dhe vështirësie, ne qëndrojmë të bashkuar, me një integritet të palëkundur profesional dhe personal.

Jemi betuar për t’i shërbyer vendit, drejtësisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë. Aspirata jonë e përbashkët është të kemi një sistem drejtësie të fortë që u shërben të gjithëve në mënyrë të barabartë.

 Nëse dikush mendon se drejtësia është e njëanshme, gabohen. Ne veprojmë bazuar në ligj dhe duke respektuar të drejtat e njeriut.

Në këto pesë vite kemi mësuar se rruga jonë është sfiduese, por ajo është gjithashtu një detyrë jetike për të ardhmen e brezave që vijnë.

 Falënderimi ynë shkon jo vetëm për prokurorët, hetuesit dhe partnerët ndërkombëtarë por veçanërisht për familjarët tanë, që kanë duruar mungesën tonë dhe na kanë mbështetur pavarësisht sfidave. Suksesi i SPAK nuk do të kishte kuptim pa këtë mbështetje./vizionplus.tv 

Vazhdo të lexosh