Balla i bindur: PS do të fitojë mandatin e tretë qeverisës në zgjedhjet e 2021

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla mblodhi këtë të premte strukturat e PS në Qarkun e Elbasanit në ditën e shënuar të 29 vjetorit të krijimit të kësaj partie.
Balla garantoi se në mandatin e tretë PS do të qeverisë vetëm në aleancë me njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, ndërsa shtoi se kjo ditëlindje e gjen PS në një moment të rëndësishëm në rrugën e integrimit europian.
“Gëzuar ditëlindjen e 29 të PS çdo anëtari e simpatizanti të kësaj partie. Kjo ditëlindje e gjen PS në një moment shumë të rëndësishëm të rrugës europiane, një angazhim i kahershëm, prej ditës së parë të krijimit të kësaj partie, në funksion të atyre vlerave që kjo parti ka promovuar në rrugën e saj, si sundimi i shtetit të së drejtës, i sundimit të ligjit, e mbi të gjitha ndërtuar këto në parimet e solidaritetit social. Unë, ashtu sikurse shumica e shqiptarëve, konstatoj se PS është partia që e ka pozicionuar veten në anën e duhur të historisë, pra duke forcuar rolin e shtetit në shërbim të qytetarëve, duke besuar tek respekti ndaj Kushtetutës dhe ndaj ligjit dhe duke i dhënë Shqipërisë, në qeverisje, një status dhe një pozicion të rëndësishëm, jo vetëm rajonal, por edhe në aspektin rajonal.”
Ai falenderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në PS, që tek themeluesi e deri tek anëtarët e thjeshtë.
“Ndërkohë duke ju referuar momentit në të cilin ndodhemi, unë besoj që nga PS, duke vijuar këtë orientin proeuropian dhe duke i qëndruar besnikë aleancës së vetme politike me njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi, duhet të them që unë kam besimin e plotë, që në prill apo maj të vitit 2021, kur të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme, në aleancën me njerëzit dhe me askënd tjetër, ne do të fitojmë besimin e shqiptarëve për një mandat të tretë.”




