Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët në Shtetet e Bashkuara, miratoi të premten një projekt-ligj prej 430 miliardë dollarësh që shihet si paketa më e madhe për klimën në historinë e Shteteve të Bashkuara.

 

Ajo përbën një fitore të madhe legjislative për Presidentin Joe Biden përpara zgjedhjeve për Kongresin më 8 nëntor.

 

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e quajti atë “një fitore të madhe për familjet amerikane”.

 

Legjislacioni që përfshin fonde për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të ulur çmimet e barnave me recetë, synon të ulë sasinë e çliruar të gazeve që shkaktojnë efektin serrë në vend.

 

Ai gjithashtu parashikon masa që korporatat dhe personat me pasuri të mëdha të paguajnë taksat në përputhje me fitimet. Demokratët thonë se paketa do të ndihmojë në luftën kundër inflacionit, duke ulur deficitin federal.

 

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi paketën me 220 vota pro dhe 207 kundër, në përputhje me linjat partiake. Senati e miratoi legjislacionin të dielën e kaluar pas një seance maratonë 27-orëshe.

 

Projekt-ligji pret tani nënshkrimin e presidentit Biden, për të hyrë në fuqi. Zoti Biden tha se do ta nënshkruajë atë javën e ardhshme.

 

Demokratët shpresojnë që legjislacioni t’i ndihmojë në votimet e nëntorit, kur votuesit do të përcaktojnë balancën e pushtetit në Kongres përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

 

Zoti Biden planifikon të udhëtojë në të gjithë vendin për të paraqitur projektligjin, si edhe një sërë fitoresh të tjera legjislative në një kohë kur shumë votues janë të indinjuar në mes të inflacionit në rritje.

 

Rreth gjysma e amerikanëve e mbështesin legjislacionin për klimën dhe çmimin e ilaçeve, përfshirë 69% të demokratëve dhe 34% të republikanëve, sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos të kryer më 3 dhe 4 gusht.

 

Republikanët e kundërshtojnë legjislacionin, duke paralajmëruar se ai do të eliminojë vende pune duke rritur taksat e korporatave, do të nxisë më tej inflacionin me shpenzimet qeveritare dhe do të pengojë zhvillimin e barnave të reja. /VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published.