Subscribe

40 efektivë policie janë kallëzuar pranë Prokurorive për vepra të ndryshme penale, statistika këto që i përkasin vetëm 3 mujorit të parë të këtij viti.

 

Rastet e referuara kryesisht kanë ardhur pas denoncimeve të qytetarëve, por edhe nga hetimet dhe operacionet e zhvilluara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

 

Kryesisht, veprat penale të konsumuara nga efektivët e kallëzuar janë ato të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit, por nuk mungojnë as akuzat më të rënda qe lidhen me përfshirjen në grupe kriminale.

 

Nga të dhënat e AMP-së rezulton se në këto tre muaj janë arrestuar gjithsej 17 policë, 12 prej tyre janë lënë në qeli me vendim gjykate, 4 në arrest shtëpie dhe 1 në detyrim paraqitje.

 

Bilanci i shifrave, ku në rrjetën e drejtësisë priten të bien edhe efektivë të tjerë, pritet të rritet gjatë ditëve në vijim, kjo për faktin e hetimeve që tashmë kanë nisur disa institucione për Sektorët e Krimeve Ekonomike në 12 drejtoritë policore të vendit.

 

Më herët janë pezulluar nga puna të gjithë efektivët e këtij sektori, pasi kishte dyshime të forta se disa prej tyre kane qenë të implikuar në skema korruptive dhe gjobvënie ndaj bizneseve, kryesisht në fushën e ndërtimit.

 

AMP gjatë këtij viti ka kapur edhe efektivë të policisë rrugore, të cilët në kundërshtim me ligjin u kthenin lejet e drejtimit qytetarëve të penalizuar, kundrejt shumave të parave. Edhe rasti i efektives Arta Nafiz, kjo e fundit oficere në krimin ekonomik të Tiranës, e cila sipas hetimeve mori në zyrën e saj 5 mijë euro për lirimin e dy motrave, të kapura të akuzuara për produkte pa faturë dhe shkelje të tjera.

 

Rasti më i fortë i goditur gjatë 2023 mbetet ai i shefit të RENEA-s, Altin Morina, ku në mjetin e tij luksoz u gjetën mbi 113 mijë euro. Ky i fundit dyshohet se bashkëpunonte me grupet kriminale.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *