Pas katër orësh të “ngujuar” në Pallatin e Kongreseve, anëtarët e Këshilli Politik për reformën zgjedhore nuk kanë arritur akoma të gjejnë dakordësinë.

Përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi tha për mediat pas mbledhjes se palët nuk ranë dakord për votimin elektronik dhe identifikimin biometrik të votuesve. Sipas tij, ishte mazhoranca ajo që kundërshtoi.

“U hap debat në lidhje me votimin elektronik dhe identifikimin biometrik. Për fat të keq për ne doli qartë qëndrimi i mazhorancës që nuk është e gatshme të ecë në këtë drejtim, të fusë identifikimin biometrik në të gjitha qendrat e votimit për të garantuar që kutitë e votimit nuk mbushen, nuk do që të mos ketë votim në emër të emigrantëve që nuk kanë ardhur kurrë në Shqipëri, të mos ketë votim familjar, që komisionerët të mos mbushin kutitë në mbylljen e procesit të votimit për ata që nuk erdhën të votonin dhe të mos votohet me karta identiteti të falsifikuara. PS e bëri të qartë që nuk ishe e gatshme për këtë. Kjo është një nga temat kryesore të opozitës prej vitesh për garantimin e kutisë, që kur të numërohet  të numërohen votat e vërteta të zgjedhësve dhe jo të falsifikuara. Pa arritur kompromis për këtë çështje është e vështirë të arrihet kompromis për çështje të tjera si administrata zgjedhore, administrimi i zgjedhjeve nxjerr rezultatin.”

Palët do të ulen sërish “kokë më kokë” të premten në orën 11.00. Opozita jashtëparlamentare pret nga mazhoranca që nesër të shkojë me një propozim të qartë për identifikimin biometric në të gjitha qendrat e votimit në zgjedhjet e ardhshme.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *