Subscribe

Nga kjo e premte e deri më 25 Prill, ditën kur zgjedhësit do të shprehin vullnetin e tyre politik, aktivitetet që synojnë të reklamojnë punën e bërë si nga pushteti qendror dhe ai vendor, do të jenë të kushtëzuara nga rregullat e reja që detyron kodi i ri elektoral.

 

Dakordësia e vendosur mes mazhorancës dhe opozitës së bashkuar, tanimë e konkretizuar me një vendim të Komisionit Rregullator, parashikon një kufizim të punëve publike, por vetëm të atyre që nuk janë të parashikuara në buxhet ose janë vënë enkas për qëllime elektorale katër muaj para zgjedhjeve.

 

E thënë ndryshe, ky vendim, thuajse nuk e cënon aktivitetin publik të qeverisë apo pushtetit vendor, për aq kohë sa vendimmarrjet për investime janë përcaktuar më herët se nga afatet e vendosura nga Komisioni Rregullator.

 

Të vetmet që në këto katër muaj nuk do të shohim në media janë dhëniet e lejeve të legalizimeve apo shpërndarjen e certifikatave të çdo lloj pronësie. Përurimet e investimeve të tjera,  të nisura dhe të parashikuara në buxhet, siç është plani i rindërtimit, katër muaj para zgjedhjeve nuk hyjnë në kategorinë e aktiviteteve të ndaluara për t’u reklamuar.

 

Këtij rregulli duhet ti binden nga kryeministri, ministrat, kryetarët e bashkive, zëvendësit e tyre e deri te drejtorët e atyre institucioneve që janë edhe pjesërisht me fonde publike.

 

Për shkelësit, ndëshkimi administrativ është deri në 50 mijë lekë, dhe përtej ankimit që mund t’i bëj i gjobituri në gjykatë, gjoba ekzekutohet menjëherë.

Si në çdo proces zgjedhor edhe pse në të shumtën e rasteve nuk është respektuar, ndalohet shfrytëzimi i administratës shtetërore përgjatë orarit zyrtar të punës apo përdorimi i mjeteve të institucioneve përkatëse për qëllime elektorale.

 

Përmbushja e këtij vendimi, që anëtarët e Komisionit Rregullator e cilësuan si një gur themeli për një standard të ri të zgjedhjeve në Shqipëri mbetet për t’u vërtetuar përgjatë katër muajve parazgjedhorë.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *