8 dhjetori i vitit 1990 ka hyrë në histori si momenti kur studentët u ngritën në protestë dhe rrëzuan diktaturën komuniste, duke i dhënë fund regjimit që kishte izoluar shqiptarët për afro 5 dekada.
Mbrëmjen e 8 dhjetorit, në Qytetin Studenti u ndërprenë dritat për shkak të një defekti në kabinën elektrike, një ngjarje që shërbeu si nxitje për protestën që do të kulmonte 4 ditë më vonë me vendosjen e pluralizmit në Shqipëri.
Në 8 dhjetor, dhjetëra të rinj dolën nga godinat dhe protesta nisi në ambientet e Qytetit Studenti, fillimisht me kërkesa ekonomike. Një nga figurat që spikati në këtë lëvizje ishte Azem Hajdari.
Protestuesit u nisën drejt qendrës së Tiranës, por u bllokuan nga forcat e policisë. U ra dakord që një përfaqësi e tyre të takohej me Ramiz Alinë. Katërmbëdhjetë studentë u përballën me presidentin e atëhershëm në një nga sallat e Korpusit Qendror të Universitetit, dhe kërkesat e tyre ishin kryesisht të karakterit ekonomik.
Ky takim nuk e zgjidhi situatën dhe protesta e studentëve vazhdoi më 9 dhjetor në sheshin e Qytetit Studenti, i cili sot mban emrin “Sheshi Demokracia.”
Revolta e të rinjve vazhdoi derisa më 11 dhjetor, në mbrëmje, në takimin e zhvilluar në Pallatin e Brigadave mes studentëve dhe Ramiz Alisë, ky i fundit pranoi vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.
Pak orë më vonë, u krijua Partia Demokratike me kryetar Azem Hajdarin, duke shënuar fundin e sistemit njëpartiak në vend.
Beteja e studentëve kundër diktaturës komuniste vazhdoi edhe pas vendosjes së pluralizmit.
Më 18 shkurt 1991, një grup prej 723 djem dhe vajza nisën në Qytetin Studenti një grevë urie, duke kërkuar heqjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës.
Më 20 shkurt të po atij viti, qytetarët e Tiranës u bashkuan me studentët dhe rrëzuan monumentin e diktatorit Hoxha në qendër të kryeqytetit, duke i dhënë goditjen përfundimtare një regjimi që kishte persekutuar shqiptarët për 45 vite. /vizionplus.tv





