Subscribe

Të dyja anët e lumit të Lanës përgjatë segmentit nga Materniteti i Ri deri në Shkozë, do të kthehen në një minipark linear me mbi 3 mijë pemë. Bashkia e Tiranës ka rinisur nga ky segment, për vitin e katërt radhazi, aksionin e mbjelljeve për krijimin e Pyllit Orbital, që do të rrethojë kryeqytetin me një brez të gjelbër me 2 milionë pemë.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputetja e PS, Klotilda Bushka, iu bashkua sot aksionit për mbjelljen e 100 pemëve në këtë pjesë të qytetit.

 

“Kur fillon aksioni i mbjelljeve në Tiranë është një ditë shumë e lumtur. E nisim nga Njësia 3, me një super-projekt, për ta kthyer Lanën në një park linear, njësoj si me pjesën tjetër të lumit, Lanën e vjetër. Kjo është Lana e re, nga Materniteti i Ri dhe mbaron në Shkozë, një projekt si çdo projekt i bukur në Shqipëri që kontestohet, që ka debate. Mjafton vetëm ta shikojmë tani që janë mbjellë qindra pemët e para dhe sesi ky segment i parë është shndërruar në një bahçe me lule, sesi korsitë në të dyja anët e Lanës së Re i kanë shtuar vlerën pronës, ka sjellë zhvillim, po hapen dyqane, restorante etj”, tha Veliaj.

 

Ai ftoi të gjithë banorët e Tiranës që t’i bashkohen aksionit të mbjelljeve dhe të kontribuojnë për shtimin e gjelbërimit, që edhe këtë vit të thyhet rekordi i vitit të shkuar.

 

“Ky është një lajm fantastik, ndaj dua t’i ftoj të gjithë banorët të na japin një dorë. 3 mijë pemët e para do t’i mbjellim ne. Janë 3 mijë të parat e një rekordi prej 150 mijë pemësh që duam të thyejmë këtë sezon, për t’u siguruar që kur e filluam procesin e mbjelljes së pemëve, deri në fund të këtij sezoni, të kemi kapur 500.000 pemë”, shtoi Veliaj.

 

Duke u ndalur tek projekti për lumin e Lanës, Veliaj deklaroi se ky projekt do të jetë po aq i suksesshëm sa edhe pjesa e parë e tij.

 

Kryebashkiaku shtoi se ky sezon përkon edhe me 75-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, ndaj është një moment shumë i mirë që çdokush, sidomos kompanitë apo bizneset e ndryshme, të nderojnë sakrificën e atyre që luftuan dhe dhanë jetën për atdhe, duke mbjellë pemë.

 

Veliaj siguroi qytetarët e Tiranës për vijimin e projekteve të rëndësishme transformuese.

 

“Dua t’i garantoj të gjithë qytetarët se projekteve do t’i shkojmë deri në fund. Do të vazhdojmë shumë shpejt me Astirin, me përfundimin e Unazës dhe segmentin në Shkozë, lidhja me Unazën e Madhe që është gjithashtu një nyjë shumë e rëndësishme. Pastaj, do të vazhdojmë në Tufinë, edhe përgjatë bregut të Lumit”, tha kreu i Bashkisë, teksa siguroi se çdo banor që preket nga projektet zhvilluese nuk do të mbetet pa banesë apo ndihmë nga ana e bashkisë.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *