Numri total i viktimave prej koronavirusit në Shqipëri ka shkuar në 245. Kjo shifër u rrit pas raportimit që bëri Ministria e Shëndetësisë këtë të shtunë. Zëvendësministrja Mira Rakacolli njoftoi se në 24 orët e fundit kanë vdekur edhe pesë pacientë të tjerë.

“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 5 pacientë, një 47 vjeçar nga Shkodra, një 53 vjeçare nga Fieri, një 57 vjeçar nga Lezha, një 78 vjeçar nga Kukësi , një 78 vjeçar nga Elbasani.”

Sot janë zbuluar edhe 156 raste të reja me COVID-19, duke e çuar totalin e të infektuarve në 8.275.

“Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 837 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2, dhe  156  persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 44 raste në Tiranë, nga 11 raste në Krujë dhe Kukës, nga 10 raste në Durrës, Fier, Lezhë, 9 raste në Shkodër, 6 raste në Elbasan, Lushnje, Tropojë, 5 raste në Berat, nga 4 raste në Has, Librazhd, Kamëz, Patos, nga 3 raste në Devoll dhe Vlorë,  2 raste në Mirditë, nga 1 rast në Kurbin, Pukë, Divjak, Shijak.”

Rritje ka pësuar edhe numri i të shëruarve. Me 88 të rikuperuarit për këtë të shtunë, numri i përgjithshëm i tyre ka shkuar në 4.184.

Ndërkohë, në dy spitalet COVID janë 141 persona të infektuar që kanë nevojë për kujdes mjekësor. Nga këta, 20 pacientë janë në terapi intensive, kurse nëntë të intubuar.

Gjithashtu, atje po marrin trajtim edhe 34 qytetarë që kanë fituar betejën me virusin, por po vuajnë pasojat e sëmundjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *