Opozita parlamentare dhe kryeministri Edi Rama nuk gjetën dot gjuhën e përbashkët për të votuar reformën zgjedhore në Parlament.

Pas një takimi që zgjati dy orë, kreu i qeverisë tha se nuk u gjet dakordësi pasi opozitarët ndjehen të fyer. Megjithatë, Rama siguroi se diskutimet do të vijojnë dhe se do të arrihet në një produkt të dakordësuar nga të gjithë.  

“Natyrisht nuk gjetëm dakordësi. Në fakt unë i nënkuptoj përfaqësuesit e opozitës parlamentare, ndjehen të përjashtuar, të fyer, për faktin që pasi janë denigruar dhe janë fyer në mënyrë sistematike nga ta që i kanë sjellë në parlament me firmat e tyre, gjenden përpara nevojës për të respektuar një marrëveshje që e konsiderojnë të padenjë dhe mbi të gjitha detyruese nga jashtë parlamentit, për parlamentin. Megjithatë ajo që mendoj se është e rëndësishme, është që të vazhdojmë të diskutojmë. Më vjen keq që dëgjova në tryezë akuza edhe për tentativa për blerje, apo për influenca jo korrekte mbi deputetët. Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë, por edhe në adresën tonë, dhe unë ju sigurova që ne nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhjeje, ku thjesht dhe vetëm do të kërkojmë aritmetikën, por do të shkojmë në rrugën e një diskutimi, për të krijuar kushtet e një dakordësie.”

Edi Rama u shpreh i prerë se me këtë Kod Zgjedhor nuk mund të shkohet në zgjedhjet e ardhshme. Prandaj ai u duk shpresëplotë se reforma zgjedhore do të miratohet në Parlament edhe me dakordësinë e opozitës së re.


“Kjo reformë duhej bërë më parë, me dy shkallë, duhet të bëhej marrëveshje për Kodin, dhe pastaj për kushtet e tjera. Me këtë Kod nuk shkojmë dot në zgjedhje sepse ka nevojë për ndërhyrje, ku kryesoja është që të ndërhyjmë në Kod për të garantuar ankimimin që sot ka rënë, prandaj duhet të kemi edhe konsensus të opozitës parlamentare. Kemi dakordësuar një marrëveshje, nuk është ajo që ne do të donim, por duke qenë se synimi kryesor i asaj tryeze ishte gjithëpërfshirja dhe hapja e një rruge dialogu dhe krijimi i mundësive dhe garancive për opozitën jo parlamentare që ka një psikozë që është e pangushëllueshme për zgjedhjet, atëherë ne pranuam që pasi topi shkoi në fushën e Bashës dhe nuk po dukej gjëkundi t’i themi bëje si të duash ti. Ishte surprizë kur tha që më e mira është kjo që kemi, se pastaj pse u bë e gjitha kjo dhe ky zinxhir cudirash, bëmash, krisjesh, kjo është histori tjetër. Ne duam që në atë marrëveshje ne jemi palë, që nuk jemi këtu për ta vënë në diskutim dhe për ta përmbysur, por për ta kaluar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *